ShBA-ja po e planifikon shuarjen e rreth 200 pozitave brenda NATO-s
Shtetet e Bashkuara planifikojnë që ta zvogëlojnë numrin e personelit që e kanë të vendosur brenda disa qendrave të komandës të NATO-s, lëvizje që mund t’i thellojë shqetësimet në Evropë rreth përkushtimit të Uashingtonit ndaj aleancës, i thanë agjencisë së lajmeve “Reuters” këtë javë tri burime të afërta me çështjen.
Si pjesë e kësaj nisme, të cilën administrata e presidentit Donald Trump ua ka kumtuar disa kryeqyteteve evropiane, ShBA-ja do të eliminojë rreth 200 pozita nga organet e NATO-s që i mbikëqyrin dhe i planifikojnë operacionet ushtarake dhe ato të inteligjencës të aleancës, thanë burimet në kushte anonimiteti.
Sipas burimeve, në mesin e organeve që do të preken janë Qendra e Bashkimit të Inteligjencës e NATO-s me bazë në Britani dhe Komanda Aleate e Forcave për Operacione Speciale në Bruksel. Organi me bazë në Portugali, STRIKFORNATO, që mbikëqyr disa operacione detare, gjithashtu do të preket nga shuarja e pozitave, njësoj si disa entitete të tjera të NATO-s, thanë burimet.
Burimet nuk saktësuan se pse Shtetet e Bashkuara kanë vendosur që ta zvogëlojnë numrin e stafit që u kushtohet roleve brenda NATO-s, por këto lëvizje janë gjerësisht në vijë me synimin e deklaruar të administratës së Trumpit për të çuar më shumë burime drejt Hemisferës Perëndimore.
Mediumi i parë që raportoi për këtë vendim ishte gazeta “The Washington Post”.
Këto ndryshime janë të vogla në krahasim me madhësinë e forcave ushtarake amerikane të stacionuara në Evropë dhe nuk sinjalizojnë patjetër një largim më të gjerë të ShBA-së nga kontinenti. Rreth 80 mijë pjesëtarë të personelit ushtarak amerikan janë të vendosur në Evropë, pothuajse gjysma prej tyre në Gjermani.
Sidoqoftë, këto lëvizje gjithashtu kanë pak gjasa që ta lehtësojnë ankthin evropian për të ardhmen e aleancës. Shqetësimi edhe ashtu është i thellë për shkak të fushatës së presidentit Donald Trump për t’ia marrë Danimarkës kontrollin e Grenlandës, duke e ngritur mundësinë e pashembullt për agresion territorial brenda NATO-s.
Kur iu kërkua koment, një zyrtar i NATO-s tha se ndryshimet në stafin amerikan nuk janë të pazakonshme dhe se prania e Shteteve të Bashkuara në Evropë është më e madhe se që ka qenë në disa vjet.
“Autoritetet e NATO-s dhe të ShBA-së janë në kontakt të ngushtë për vendosjen tonë të përgjithshme – për t’u siguruar që NATO-ja ta mbajë kapacitetin tonë të fortë për frenim dhe mbrojtje” – tha zyrtari i aleancës.
(Kosova Sot Online)
