Izraeli pritet të hapë pikëkalimin Rafah
Izraeli pritet që javën e ardhshme ta hapë pikëkalimin kufitar të Rafahut mes Gazës dhe Egjiptit në të dyja drejtimet, raportojnë mediat izraelite.
Sipas këtyre mediave, aktualisht fokusi kryesor është në përcaktimin e kushteve politike dhe të sigurisë për zbatimin e këtij vendimi, transmeton gazeta The Times of Israel.
Raportimet bëjnë të ditur se Izraeli do të mbajë kontroll të plotë mbi pikëkalimin përmes sistemeve të vëzhgimit në distancë, miratimit paraprak të listave të udhëtarëve dhe dokumenteve të identifikimit, si dhe dislokimit të ushtrisë izraelite në perimetrin përreth.
Megjithëse nuk pritet prani e përhershme izraelite brenda vetë pikëkalimit, personat që hyjnë dhe dalin nga Gaza do t’i nënshtrohen kontrolleve në një pikë izraelite të vendosur pranë Rafahut, me synim parandalimin e trafikimit të armëve.
Hapja e planifikuar e pikëkalimit thuhet se po realizohet me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, si pjesë e përpjekjeve më të gjera për transferimin e qeverisjes së Gazës nga Hamasi drejt strukturave të tjera.
Ndërkohë, televizioni izraelit Channel 12 raporton se Shtetet e Bashkuara dhe disa ndërmjetës kyçë kanë nisur në heshtje bisedime me Hamasin për një plan që synon çarmatosjen graduale të grupit dhe çmontimin e infrastrukturës së tij ushtarake në Rripin e Gazës.
Sipas këtij raporti, në këto diskutime, që po zhvillohen prej dy deri në tri javësh, po marrin pjesë Shtetet e Bashkuara, Katari, Turqia dhe Egjipti.
Plani i paraqitur Hamasit parashikon shkatërrimin e menjëhershëm të armëve të rënda, tuneleve, qendrave për prodhimin e armëve dhe infrastrukturës ushtarake, si dhe një proces afatgjatë, të ndarë në faza, për grumbullimin dhe çmontimin e armëve personale të anëtarëve të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura.
(Kosova Sot Online)
