Kurti: Kosova e hapur për investime serioze
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova është e gatshme për partneritete të mëdha infrastrukturore dhe e hapur për investime serioze, duke theksuar se vendi po zgjeron vazhdimisht mundësitë tregtare me Evropën, rajonin dhe më gjerë.
Gjatë fjalimit të tij në Ditën e Biznesit Francez të enjten në Prishtinë, Kurti u shpreh se Kosova tashmë gëzon stabilitet institucional, një element kyç për zhvillimin e biznesit dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
“Kosova është e gatshme për partneritete të mëdha infrastrukturore, e hapur për investime serioze dhe po zgjeron mundësitë tregtare me Evropën, rajonin dhe më gjerë. Republika e Kosovës është një shtet i pavarur dhe i konsoliduar, me orientim të qartë evropian dhe me stabilitet institucional, i cili është thelbësor për bizneset, sepse ofron siguri publike, parashikueshmëri dhe disiplinë të fortë fiskale”, ka thënë Kurti.
Ai u ndal edhe te ulja e burokracisë, duke e cilësuar si një nga prioritetet e qeverisë për përmirësimin e klimës së të bërit biznes.
“Si kryeministër rrallëherë marr duartrokitje për uljen e burokracisë, por kam vërejtur se sipërmarrësit reagojnë me veprime: kur proceset janë të thjeshta, ata kthehen; kur janë të komplikuara, dërgojnë avokatët. Përtej humorit, ky është thelbi i reformave tona”, u shpreh Kurti.
Sipas tij, synimi i Qeverisë është ta bëjë të bërit biznes në Kosovë më të lehtë, më transparent dhe më të shpejtë, në mënyrë që kompanitë të fokusohen në ndërtim, prodhim dhe eksport.
Kurti theksoi se kompanitë evropiane po kërkojnë gjithnjë e më shumë besueshmëri, zinxhirë më të shkurtër furnizimi, partnerë të besuar dhe mjedise të qëndrueshme, duke shtuar se Kosova është e pozicionuar mirë për t’u shërbyer me efikasitet tregjeve rajonale dhe evropiane.
(Kosova Sot Online)
