Macron flet për ndalimin e rrjeteve sociale

  • A.P /
  • 07 February 2026 - 15:45
Macron flet për ndalimin e rrjeteve sociale

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka ngritur alarmin për ndikimin e rrjeteve sociale te fëmijët dhe adoleshentët, duke e cilësuar përdorimin e tyre para moshës 15 vjeç si një rrezik serioz për shëndetin publik dhe sigurinë e të miturve, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në një deklaratë të fortë në rrjetet sociale dhe në një video të publikuar nga BFM-TV, Macron paralajmëroi se Franca po shkon drejt ndalimit të mediave sociale për fëmijët nën këtë moshë.

Sipas Macron, koha mesatare që një adoleshent kalon para ekranit arrin në 4 orë e 20 minuta në ditë, një shifër që ai e cilësoi si “të çmendur”, duke theksuar se në shumicën e rasteve përmbajtja nuk mbikëqyret nga prindërit. Ai paralajmëroi se, në momentin që fëmijëve u lejohet përdorimi i rrjeteve sociale, nuk ka asnjë garanci që ata nuk do të ekspozohen ndaj skenave jashtëzakonisht të dhunshme ose përmbajtjes së dëmshme.

“Ne nuk mund t’ua delegojmë vetëm prindërve këtë përgjegjësi — dhe shpesh edhe presionin — për të vendosur nëse, në moshën 12-vjeçare, është ide e mirë apo e keqe t’ia dorëzosh praktikisht trurin platformave,” deklaroi Macron.

Presidenti francez e cilësoi kufizimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç si një masë thelbësore për mbrojtjen e tyre, duke theksuar se bëhet fjalë jo vetëm për edukim, por për shëndetin mendor dhe emocional të brezave të rinj.

Në këtë kuadër, Macron bëri të ditur se i ka kërkuar qeverisë së tij të përdorë një procedurë të përshpejtuar legjislative, me synimin që projektligji të miratohet nga Parlamenti dhe Senati deri në fillim të vitit të ardhshëm shkollor, në shtator.

“Truri i fëmijëve dhe adoleshentëve tanë nuk është në shitje. Emocionet e tyre nuk janë në shitje dhe as për t’u manipuluar — as nga platformat amerikane, as nga algoritmet kineze,” u shpreh ai.

(Kosova Sot Online)