10 nxënës dyshohet se sulmuan mësimdhënësin

  • A.P /
  • 10 February 2026 - 09:15
10 nxënës dyshohet se sulmuan mësimdhënësin

Një incident i rëndë ka ndodhur në shkollën fillore “Pavarësia” në Prishtinë, ku është raportuar për dhunë fizike brenda ambientit shkollor.

Fillimisht në publik u tha se mësimdhënësi kishte ushtruar dhunë ndaj një nxënësi. Por sipas psikologut të shkollës, Nazim Mahmuti, ngjarja ka ndodhur ndryshe nga ajo që u raportua në fillim.

Mahmuti ka deklaruar se mësimdhënësi është sulmuar nga rreth 10 nxënës. Sipas tij, nxënësit kanë hyrë me qëllim në sallën e arsimtarëve, pasi aty nuk ka kamera sigurie. Ai thotë se nxënësit kanë incizuar vetëm momentin e fundit, kur mësimdhënësi shihet duke e goditur njërin prej tyre, duke lënë jashtë pamjet e sulmit paraprak.

Psikologu ka sqaruar se nxënësi me inicialet A.O. nuk është nxënës i mësimdhënësit në fjalë dhe se ndaj tij janë marrë më herët disa masa disiplinore.

Ndërkohë, disa nxënës të klasës së gjashtë kanë deklaruar për Syri se mësimdhënësi i përfshirë në rast njihet si një nga arsimtarët më të sjellshëm në këtë shkollë.

Nga Policia e Kosovës është konfirmuar se rasti tashmë është duke u hetuar dhe se të gjitha rrethanat do të sqarohen nga organet kompetente.

Ngjarja ka hapur sërish debatin për sigurinë në shkolla dhe përdorimin selektiv të videove në rrjete sociale.

(Kosova Sot Online)