Berisha: Mirënjohje për Komisionin Europian

  • A.P /
  • 10 February 2026 - 09:45
Berisha: Mirënjohje për Komisionin Europian

Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka falënderuar Komisionin Europian, që në mesazhin e shpërndarë sot, kërkoi që Kuvendi të shqyrtojë sa më parë kërkesën për imunitetin e Belinda Ballukut.

Sipas Berishës, qëndrimi i Komisionit Europian i ka dhënë një mesazh të qartë kryeministrit për mosndërhyrje në drejtësi.

Gjatë fjalës së tij, ai lëshoi një thirrje edhe për forcave të rendit, duke i ftuar ata të braktisin mbrojtjen e qeverisë dhe të rreshtohen krah qytetarëve. Duke e cilësuar tubimin e nesërm si një ‘kryengritje paqësore’, Berisha theksoi se misioni i vetëm është shpëtimi i Shqipërisë nga ajo që ai e quan ‘organizata kriminale’ në pushtet.

Lideri demokrat i kërkoi mbështetësve të tij të bëhen ‘përmbaruesit’ e këtij vullneti ndërkombëtar për të vendosur përpara përgjegjësisë zyrtarët e korruptuar.

Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:

Nesër, u bëj thirrje forcave të rendit, të marrin vendimin historik, të bashkohen me protestuesit.

Bashkohuni me protestuesit, sepse bashkoheni me interesin e vendit tuaj, interesin e familjeve tuaja, me interesin tuaj, me të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

U bëj thirrje, bashkohuni me protestuesit të shporrim këtë bandë kusarësh që nuk ka pasur kurrë Shqipëria në krye si sot.

Bashkohuni me misionarët e kombit që do shpëtojnë kombin nga kjo rrokullisje.

Do shporrin këtë organizatë kriminale nga qeverisja.

Do rikthejnë ligjin, Kushtetutën, të drejtën, lirinë, votën e lirë, mëkëmbjen, udhëtimin drejt Europës.

Rrofshi ju!

Edhe njëherë, të gjithë nga ora 17:00, në Tiranë, në kryengritjen paqësore, kryengritjen e fitores, kryengritjen e të ardhmes, kryengritjen për Europën.

Një mirënjohje të pakufishme Komisionit Europian për deklaratën e sotme, në të cilin i tha kryebanditit, kryehajdutit, se kurrë drejtësinë nuk mund ta pengosh.

Le të bëhemi ne përmbaruesit e vendimit, ta detyrojmë hajdutin të shkojë aty ku e ka vendin.

Edhe njëherë, nesër, e gjithë Shqipëria në Tiranë. Tirana në bulevardet dhe rrugët e saj.

Fitore, fitore, fitore!

(Kosova Sot Online)