Vjen ankesa nga LDK: Drejtësia duhet të jetë e plotë
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me Rezolutën e diskutuar në Kuvend, duke theksuar se drejtësia nuk mund të trajtohet në mënyrë të pjesshme apo selektive, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Në deklaratën e saj, LDK vlerëson se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka detyrim historik dhe politik që të flasë me një zë të qartë dhe të përgjegjshëm për drejtësinë. Sipas këtij subjekti, çdo rezolutë duhet të jetë e plotë dhe të reflektojë qasje të barabartë për të gjithë.
LDK shpreh mbështetje për parimin e gjykimit të drejtë dhe të paanshëm, në përputhje me standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare, për çdo qytetar të vendit. Kjo, sipas tyre, është bazë e shtetit ligjor dhe e orientimit euro atlantik të Kosovës.
Megjithatë, partia thekson se drejtësia ose vlen për të gjithë, ose humb kuptimin e saj. Për këtë arsye, deputetët e saj kanë kërkuar që Rezoluta të përfshijë qartë obligimin institucional për zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pazbardhura pas luftës, përfshirë edhe ato politike.
Sipas LDK-së, mos përfshirja e kësaj kërkese e ka bërë Rezolutën të paplotë dhe me mesazh të mangët. Për këtë arsye, Grupi Parlamentar i saj nuk ka pranuar ta legjitimojë një qasje që, sipas tyre, është e njëanshme ndaj drejtësisë.
LDK thekson se qëndrimi i saj është parimor dhe aktiv, duke shtuar se do të vazhdojë të kërkojë drejtësi për të gjitha viktimat, procese të drejta dhe një shtet që përballet me të vërtetën pa e përzgjedhur atë.
(Kosova Sot Online)
