Rubio: Bota e vjetër ka ikur, jetojmë në një epokë të re
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka mbërritur në Gjermani për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih (MSC) , duke thënë se bota ndodhet në një “moment definues”, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
“Bota po ndryshon shumë shpejt para syve tanë. Bota e vjetër ka ikur – sinqerisht, bota në të cilën u rrita – dhe ne jetojmë në një epokë të re në gjeopolitikë, dhe kjo do të kërkojë nga të gjithë ne që të rishqyrtojmë se si duket kjo dhe cili do të jetë roli ynë,” tha Rubio në komentet para nisjes nga baza ajrore Andreës në Maryland.
Rubio tha se ka gjasa të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky më 14 shkurt, kur ai të arrijë, megjithëse nuk ishte “100 për qind” i sigurt se takimi do të ndodhë.
I pyetur për sulmet e vazhdueshme ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, të cilat kanë zhytur qindra mijëra njerëz në të ftohtë dhe errësirë gjatë dimrit, Rubio tha se kjo është arsyeja pse Uashingtoni po vazhdon përpjekjet e tij për paqe.
“Njerëzit po vuajnë. Është koha më e ftohtë e vitit. Është vuajtje e paimagjinueshme,” shtoi ai.
(Kosova Sot Online)
