BE paralajmëron Serbinë: Rrezikoni fondet

  • A.P /
  • 13 February 2026 - 15:00
BE paralajmëron Serbinë: Rrezikoni fondet

Bashkimi Evropian mund t’ia pezullojë Serbisë paketën financiare në vlerë prej 1.6 miliardë eurosh, për shkak të ligjeve të reja për drejtësinë që, sipas Brukselit, minojnë besimin në përkushtimin e Beogradit ndaj sundimit të ligjit. Këtë e ka konfirmuar komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos.

Reformat në drejtësi, të cilat hynë në fuqi këtë javë dhe që parashohin centralizim shtesë të sistemit, kanë nxitur reagime të ashpra nga gjyqtarë dhe prokurorë në Serbi. Sipas tyre, ndryshimet ligjore forcojnë pushtetin e presidentit Aleksandar Vuçiç, dobësojnë luftën kundër krimit të organizuar dhe dëmtojnë përpjekjet e vendit drejt anëtarësimit në BE.

“Këto amendamente e dëmtojnë besimin. Për ata në Bruksel që janë të gatshëm të ecin përpara me Serbinë, tani është shumë më e vështirë ta mbrojnë këtë qëndrim”, deklaroi Kos. Ajo sqaroi se Komisioni Evropian po rishikon financimin për Serbinë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili synon harmonizimin e legjislacionit të rajonit me atë të BE-së dhe afrimin drejt anëtarësimit.

Në kuadër të këtij programi, Serbisë i janë paraparë 1.6 miliardë euro në formë kredish dhe grantesh. “Këto fonde varen nga përmbushja e kushteve që lidhen me sundimin e ligjit”, theksoi Kos.

Serbia i ka nisur zyrtarisht negociatat për anëtarësim në BE në vitin 2014, por procesi është ngadalësuar nga korrupsioni i përhapur dhe institucionet e dobëta.

Sipas ndryshimeve të reja ligjore, kufizohet mandati i kryeprokurorëve publikë, ndërsa kryetarëve të gjykatave u jepen kompetenca më të gjera ndaj gjyqtarëve. Kritikët paralajmërojnë se këto ndryshime mund të cenojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe të rrezikojnë hetimet e rëndësishme për korrupsion në nivele të larta, përfshirë rastet që trajton Prokuroria për Krim të Organizuar.

Qeveria e Serbisë nuk ka reaguar menjëherë ndaj kërkesave për koment. Më herët, Ministria e Drejtësisë kishte deklaruar se qëllimi i ligjeve të reja është rritja e efikasitetit të sistemit dhe thjeshtimi i vendimmarrjes.

Përballë kritikave, Serbia ka kërkuar mendim nga Komisioni i Venecias, organ këshillimor i Këshillit të Evropës për çështje kushtetuese. “Pasi të publikohet ai mendim, presim që ligjet të rishikohen në përputhje me të dhe përmes një procesi gjithëpërfshirës”, përfundoi Kos.

(Kosova Sot Online)