ZRRE pritet të marrë vendimin përfundimtar për tarifat e energjisë
Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka shtyrë afatin për dorëzimin e aplikimeve të operatorëve të sektorit energjetik në procesin vjetor të shqyrtimit të tarifave. Afati i ri është caktuar për datë 28 janar, pasi kompanitë ende nuk i kanë kompletuar dokumentet. Vendimi për tarifat e reja pritet të merret para fundit të marsit, ndërsa ato do të hyjnë në fuqi më 1 prill, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka shtyrë afatin për dorëzimin e aplikimeve fillestare nga operatorët e sektorit të energjisë në kuadër të procesit vjetor të shqyrtimit të tarifave. Afati i ri është caktuar për datën 28 janar 2026. Drejtori menaxhues i ZRRE-së, Petrit Pepaj, ka bërë të ditur për Radio Kosovën se shtyrja është bërë pasi kompanitë ende nuk e kanë kompletuar dokumentacionin e tyre për aplikim. Sipas tij, pas pranimit të aplikimeve, ZRRE do të ndërmarrë një shqyrtim të hollësishëm ligjor, rregullativ dhe financiar. Pepaj ka theksuar se në këtë fazë nuk mund të paragjykohet nëse do të ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike. Ai tha se vetëm pas analizës së plotë dhe procesit të konsultimit publik do të vlerësohet ndikimi i mundshëm tarifor për konsumatorët.
ZRRE pritet të marrë vendimin përfundimtar para fundit të muajit mars, ndërsa tarifat e reja të energjisë elektrike, cilat do qofshin ato, do të hyjnë në fuqi më 1 prill.
(Kosova Sot Online)
