Rubio vlerëson Orbánin përpara zgjedhjeve
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, u takua të hënën në Budapest me kryeministrin hungarez Viktor Orbán dhe shpalli një "epokë të artë" në marrëdhëniet dypalëshe, ndërsa Hungaria po shkon drejt zgjedhjeve parlamentare të prillit.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp në ndalesën e fundit të turneut të tij evropian, Rubio vlerësoi një partneritet që ai tha se është "aq i ngushtë sa mund ta imagjinoj", duke theksuar "marrëdhënien jashtëzakonisht të ngushtë" të Presidentit Donald Trump me udhëheqësin hungarez, dhe duke argumentuar se "suksesi juaj është suksesi ynë".
Ai shtoi se është në interesin kombëtar të Uashingtonit që Hungaria të lulëzojë “për sa kohë që ju jeni kryeministër”, duke thënë se të dy vendet “as nuk e kanë prekur sipërfaqen e asaj që mund të arrijmë së bashku”.
Fjalët e ngrohta, ishin në kontrast të thellë me mesazhin e Rubios disa ditë më parë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, kur ai u bëri thirrje udhëheqësve evropianë të ringjallin aleancën transatlantike.
Rubio nuk dha një mbështetje zyrtare për zgjedhjet përpara votimeve të prillit. Orbán është pas rivalit të tij Péter Magyar në sondazhet e opinionit.
Orbán tha se demokracia hungareze është “shumë e fortë”, dhe se qeveria “do të krijohet pas zgjedhjeve në Hungari, bazuar në qëllimin e hungarezëve”.
«Ndonjëherë humbas, ndonjëherë fitoj», tha Orbán, duke shtuar se nuk ka frikë nga humbja edhe pse shpreson të fitojë.
Kryeministri hungarez pritet gjithashtu të udhëtojë për në Uashington këtë javë, për takimin inaugurues të Bordit të Paqes të Trump.
(Kosova Sot Online)
