LDK kërkon përfshirjen e buxhetit të Prishtinës në Buxhetin 2026

  • A.P /
  • 19 February 2026 - 11:00
LDK kërkon përfshirjen e buxhetit të Prishtinës në Buxhetin 2026

Deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës, Besian Mustafa, ka njoftuar se do të dorëzojë sot një amendament në Komisionin Parlamentar për Buxhet për përfshirjen e buxhetit të Prishtinas në Projektbuxhetin e vitit 2026, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Sipas tij, amendamenti do të paraqitet në mbledhjen e Komisionit që mbahet në orën 13:00, me synimin për të siguruar mbështetje nga të gjitha partitë parlamentare. Mustafa ka theksuar se përfshirja e buxhetit të kryeqytetit nuk duhet të trajtohet si çështje lokale apo partiake, por si interes i përgjithshëm shtetëror.

Ai ka vlerësuar se Prishtina, si qendër kryesore ekonomike, akademike, shëndetësore dhe administrative e vendit, përballet çdo ditë me fluks të madh qytetarësh nga komunat e tjera, prandaj investimi në infrastrukturë dhe shërbime ndikon drejtpërdrejt në jetën e qindra mijëra qytetarëve në mbarë Kosovën.

Mustafa ka bërë thirrje për konsensus ndërpartiak, duke e cilësuar mbështetjen e amendamentit si domosdoshmëri për funksionalitetin e shtetit.

(Kosova Sot Online)