Hamza në 37-vjetorin e grevës së minatorëve: Sakrifica e tyre ishte frymëzim
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka përkujtuar sot 37-vjetorin e grevës së madhe të minatorëve të Trepçës, duke e cilësuar atë si një nga momentet më të rëndësishme të qëndresës kombëtare, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Në një postim publik, Hamza theksoi se minatorët, duke ngritur zërin për dinjitet dhe për të drejtat e popullit, u shndërruan në simbol të guximit dhe solidaritetit. Sipas tij, sakrifica e tyre ishte frymëzim i fuqishëm në rrugën e Kosovës drejt rezistencës, lirisë dhe pavarësisë.
Ai nënvizoi se sot përgjegjësia institucionale dhe qytetare është ruajtja, forcimi dhe zhvillimi i shtetit të Kosovës, duke garantuar drejtësi, barazi dhe mundësi për çdo qytetar, pa dallim.
“Mirënjohje e përhershme për minatorët tanë”, ka përfunduar Hamza, duke rikujtuar rolin historik të tyre në momentet kyçe të historisë së vendit.
(Kosova Sot Online)
