Policia ka arrestuar ish-kandidatin e VV-së për Asasmble
Policia e Kosovës në raportin e saj 24 orësh ka njoftuar për një bastisje të ndodhur në një lokal në rrugën “Andrea Gropa” të enjten rreth orës 19:40, ku ka mbetur i arrestuar një person, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar 4 gramë kokainë, një peshore digjitale, tre fishekë, një revole, 1 mijë e 300 euro dhe dy telefona.
Personi i arrestuar me vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje.
“Rr. Andrea Gropa, Prishtinë 19.02.2026 – 19:40. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë kontrollit në lokalin e tij janë gjetur dhe konfiskuar: 4 gramë substancë, dyshohet të jetë narkotike të llojit kokainë, peshore digjitale tre fishekë një revole, 1300 € dhe dy telefona. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.
Sipas raportimeve në media, personi i arrestuar dyshohet se është Kushtrim Ramadani, i cili ka qenë edhe kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për Asamble të Komunës së Prishtinës.
Siç raporton gazeta “Sinjali” në koordinim me Prokuroren e Departamentit të Krimeve të Rënda rasti po hetohet për veprën penale: “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.”
(Kosova Sot Online)
