Zelensky: Putini ka nisur luftën e tretë botërore

  • A.P /
  • 23 February 2026 - 08:15
Zelensky: Putini ka nisur luftën e tretë botërore

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se presidenti rus, Vladimir Putin veçse e ka filluar luftën e tretë botërore dhe se ai duhet të ndalet përmes presionit të fortë ushtarak dhe ekonomik.

Në një intervistë të zhvilluar gjatë fundjavës me BBC-në, Zelensky ka theksuar se Ukraina jo vetëm që nuk po humb luftën, por do ta përfundojë atë me fitore. 

Ai hodhi poshtë çdo ide për të paguar “çmimin” e një armëpushimi të kërkuar nga Moska, nëse kjo nënkupton tërheqjen nga territore strategjike që Rusia nuk ka arritur t’i pushtojë pavarësisht humbjeve të mëdha në njerëz.

“Unë besoj se Putini e ka nisur tashmë luftën e tretë botërore. Pyetja është sa territor do të mund të pushtojë dhe si ta ndalim atë. Rusia dëshiron t’i imponojë botës një mënyrë tjetër jetese dhe të ndryshojë jetën që njerëzit kanë zgjedhur për veten e tyre”, është shprehur ai.

Duke komentuar kërkesat e Rusisë që Ukraina t’i dorëzojë rreth 20 për qind të rajonit lindor të Donetskut, si dhe territore shtesë në rajonet jugore të Khersonit dhe Zaporizhzhias, Zelensky theksoi se çështja nuk është thjesht tokë. 

“Unë e shoh si braktisje – dobësim të pozicioneve tona dhe braktisje të qindra mijëra njerëzve tanë që jetojnë atje. Kjo do ta ndante shoqërinë tonë”, ka thënë ai.

I pyetur nëse një kompromis territorial do të sillte armëpushim, Zelensky u shpreh skeptik. 

Sipas tij, një marrëveshje e tillë mund ta kënaqte përkohësisht Kremlinin, por vetëm si pauzë për t’u riorganizuar. 

“Ai ka nevojë për një pushim. Partnerët tanë evropianë thonë se do t’i duheshin tre deri në pesë vjet për t’u rikuperuar. Sipas mendimit tim, ai mund të rikuperohet brenda pak vitesh. Ku do të shkojë më pas? Nuk e dimë, por që do të dëshirojë të vazhdojë luftën është fakt”, deklaroi presidenti ukrainas.

Deklaratat e Zelenskyt vijnë në një moment kritik të luftës në Ukrainë, teksa diskutimet për një armëpushim të mundshëm vazhdojnë të përballen me qëndrime të forta dhe të kundërta nga të dyja palët.

(Kosova Sot Online)