Vjosa Osmani shkon e buzëqeshur në Presidencë

  • A.P /
  • 05 March 2026 - 10:15
Vjosa Osmani shkon e buzëqeshur në Presidencë

Presidentja Vjosa Osmani ka mbërritur në Presidencë, në ditën e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri.

Ajo ngjiti shkallët në Presidencë me buzëqeshje dhe përshëndeti me dorë gazetarët.

Lëvizja Vetëvendosje dje e hodhi poshtë zyrtarisht mundësinë që ta mbështesë Osmanin për presidente edhe për një mandat, të cilin ajo po e kërkon.

Në vend të kësaj, partia e Albin Kurtit vendosi që ta kandidojë Glauk Konjufcën për president.

Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit skadon sot, më 5 mars, në mesnatë.

Për t’u thirrur seanca e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit, nevojitet edhe një kandidat tjetër.

LVV-ja ka kërkuar që kandidati tjetër të vijë nga opozita, por partitë opozitare kanë thënë se refuzojnë të hyjnë në garë me një rezultat të paracaktuar. Kjo do të bënte që kandidati i LVV-së të zgjidhej president në rundin e tretë të votimit, meqenëse partia e Kurtit e ka në Kuvend shumicën prej 61 votave që nevojitet në atë rast.

(Kosova Sot Online)