A po ndryshon SHBA’ja strategji?
Zyrtarë ushtarakë amerikanë po hartojnë plane të detajuara për mundësinë e vendosjes së trupave tokësore në Iran, sipas raportimeve të CBS News, duke cituar burime të informuara mbi diskutimet në Pentagon.
Sipas raportit, zyrtarë të lartë kanë bërë kërkesa specifike për përgatitjen e skenarëve të mundshëm, përfshirë mënyrën se si do të trajtoheshin ushtarët iranianë në rast të një pranie amerikane në terren në Iran.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar më herët se nuk ka plane për të dërguar trupa tokësore, duke shtuar se nëse një vendim i tillë do të merrej, ai nuk do të bëhej publik paraprakisht.
Ai gjithashtu ka përmendur se administrata po shqyrton opsione për të “qetësuar” operacionet kundër Iranit.
Departamenti i Mbrojtjes nuk ka komentuar mbi raportimet, ndërsa Komanda Qendrore e SHBA-së ka refuzuar të spekulojë mbi lëvizje të mundshme të trupave në rajon.
Planifikimi ushtarak për skenarë të ndryshëm konsiderohet praktikë standarde në Pentagon dhe nuk nënkupton domosdoshmërisht një vendim për ndërhyrje të menjëhershme, por reflekton rritjen e tensioneve dhe gatishmërinë për zhvillime të mundshme në Lindjen e Mesme.
(Kosova Sot Online)
