Detaje nga plagosja e inspektorit të IPK-së
Një inspektor i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) është plagosur me armë zjarri të hënën mbrëma rreth orës 21:00 në Rrugën “B” në Prishtinë.
Sipas informacioneve fillestare, incidenti ka nisur si një konflikt verbal mes zyrtarit dhe një personi tjetër, i cili më pas ka eskaluar në të shtëna me armë. Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka konfirmuar plagosjen e një personi.
I plagosuri është dërguar në Qendrën Emergjente, ku sipas mjekëve ndodhet në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë. Pas trajtimit fillestar, pritet të transferohet në Klinikën e Ortopedisë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se rasti nuk ka lidhje me detyrën zyrtare të inspektorit. Ndërkohë, i dyshuari për sulmin është identifikuar dhe është në kërkim nga policia.
“Rreth orës 21:00 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri,në rrugën “B” në Prishtinë. Njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga ku është raportuar se një person është plagosur. Personi i plagosur, (mashkull), është dërguar për trajtim mjekësor. Aktualisht policia ka nisë një hetim për zbardhjen e rasrit ndërkohë që janë në kërkim të personit të dyshuar i cili tashmë është identifikuar”, njoftoi Flora Ahemeti nga policia.
Policia dhe Prokuroria kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Nga IPK është bërë e ditur se incidenti nuk lidhet me detyrën zyrtare, ndërsa Policia dhe Prokuroria kanë nisur hetimet dhe janë në kërkim të të dyshuarit të identifikuar.
“IPK ju konfirmon se nê incidentin e raportuar sot rreth orës 21:00 në rrugën “B” në Prishtinë është plagosur një zyrtar i IPK-së. Incidenti nuk ndërlidhet me detyrën zyrtare. Aktualisht policia dhe Prokuroria kanë filluar një hetim për zbardhjen e rastit, ndërkohë që janë në kërkim të personit të dyshuar i cili tashmë është identifikuar”, tha Arbër Beka nga IPK
(Kosova Sot Online)
