Murseli: Armën ia bleva Granitit se më tha që e shet dyfish

  • A.P /
  • 26 March 2026 - 13:15
Murseli: Armën ia bleva Granitit se më tha që e shet dyfish

I akuzuari Naim Murseli në vazhdim të dhënies së mbrojtjes para trupit gjykues, deklaroi se armën me të cilën sipas Prokurorisë, është vrarë tani e ndjera Liridona Ademaj, ia bleu Granit Plavës pasi i kishte thënë se do ta shiste të nesërmen dyfish.

I akuzuari po ashtu pranoi se të akuzuarin Granit Plava e kishte dërguar pranë shtëpisë së tij.

Anëtari i trupit gjykues Gent Beka e pyeti sërish për armën që ia kishte blerë Murseli- Plavës. Për këtë, i akuzuari tha se kur ua kishte treguar shitësi armën, Graniti i kishte thënë se po i pëlqen dhe se të nesërmen do ta shiste dyfish. Tha se aty u morën vesh t’ia paguante.

“U morëm vesh me m’i kthy paratë”, deklaroi Murseli.

Ndërkaq, lidhur me situatën në vendin e ngjarjes ku ndodhi vrasja, i akuzuari tha se nuk kishte qenë kërkesë e grabitësit të dilte nga vetura, por ka dalë vetë.

Më tej, i akuzuari u pyet se përse nuk e kishte nisur veturën me vrull për t’iu shmangur grabitësit dhe për të ikur, ndonëse ai ishte nga ana e Liridonës.

“Nuk m’u ka kujtu në atë moment, Liridona tha ‘o kuku hajni- hajant’, kështu diçka, dhe kjo ishte arsyeja pse nuk u ndala”, u përgjigj Murseli.

Takimet me Plavën, Murseli tha se kanë zgjatë në total 4 orë.

“Domethënë, ju keni vendosë të shoqëroni një person që keni kalu rreth 4 orë për në Prishtinë dhe keni vendos spontanisht t’i besoni dhe t’i tregoni se ku jetoni”, e pyeti gjyqtari Beka.

“Po”, u përgjigj Murseli.

Paraprakisht, përfaqësuesi i palës së dëmtuar- Leondard Ademaj, avokati Leutrim Syla kërkoi që pamjet e tani të ndjerës Liridona Ademajt që u shfaqën në Gjykatë, ku shihet e vrarë vendin e ngjarjes, të mos publikohen në media dhe mos të kenë qasje fëmijët e saj në to. Tha se kjo është kërkesë e familjes, sipas betimit.

“Qëllimi ka qenë me i tregu Naimit se stolitë i ka pas”, u shpreh kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku.

(Kosova Sot Online)