Sindikatat kërkojnë rritje urgjente të koeficientit të pagave
Qeveria e Kosovës pritet të miratojë sot vendimin për ekzekutimin e pagës së 13-të për punonjësit e sektorit publik, ndërsa pagesa mund të realizohet që nesër. Kjo pagesë është paraparë në buxhetin e miratuar më 20 shkurt dhe të dekretuar nga Presidentja Vjosa Osmani.
Megjithatë, përfaqësuesit sindikalë theksojnë se, përtej kësaj pagese të njëhershme, kërkesa kryesore mbetet rritja e koeficientit të pagave, si zgjidhje më e qëndrueshme për përmirësimin e të ardhurave.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, deklaroi se nuk ka ende konfirmim zyrtar për ekzekutimin e pagës, ndërsa sindikata pret vendime institucionale dhe ka kërkuar takim me ministrin e Arsimit për të diskutuar rritjen e koeficientit.
Edhe përfaqësuesit e sektorëve të tjerë, përfshirë Policinë dhe Shëndetësinë, e konsiderojnë pagën e 13-të si një hap pozitiv, por jo të mjaftueshëm. Ata kërkojnë rritje lineare të pagave dhe ndryshim të koeficientit, duke argumentuar se inflacioni ka ulur fuqinë blerëse.
(Kosova Sot Online)
