Albin Kurti e propozon projektligjin për çmimet tavan
Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë tha se po i risjellin për miratim projektligjet për çmimet tavan dhe atë për sigurimë shëndetësore pasi Gjykata Kushtetuese i kishte shfuqizuar.
Kurti tha se këtë po e bën si përgjigje ndaj krizave botërore pas kritikave që mori se nuk po ndërmerr masa për të zbutur efektin e këtyre krizave.
“Po e risjellim për miratim këtë projektligj që vjen si përgjigje e domosdoshme ndaj një realiteti e përvoje që qytetarët tonë e kanë përjetuar. Rritje të papritura të çmimeve, paqartësi në treg dhe mungesë e mekanizmave për mbrojtje e ruajtje. Me këtë ligj ne nuk po hyjmë në tregun e lirë, por përkundrazi po e mbrojmë lirinë e tregut nga abuzimi. Ky projektligj vendos një balancë të domosdoshme ndërmjet funksionimit të lirë të tregut dhe përgjegjësisë së shtetit për të mbrojtur interesin publik në situata të jashtëzakonshme”.
Kurti po ashtu tha se me “qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës do të konkretizohet me miratimin e projektligjit për sigurim shëndetësor”.
“Po e risjellim edhe një ligj jetik për shëndetin e qytetarëve dhe shëndetësinë publike. Edhe ky ligj po ashtu ka qenë i sfiduar nga opozita në Kushtetuese. Sot në rend dite e kemi edhe projektligjin për sigurime shëndetësore”.
Gjykata Kushtetuese e kishte shpallë antikushtetues ligjin për çmimet tavan për produktet bazë.
(Kosova Sot Online)
