Berisha: Reforma territoriale e Ramës plotësoi kushtet e platformës së Çubrilloviçit
Kryetari i PD-së, Sali Berisha deklaroi sot se se reforma territoriale e ndërmarrë nga Edi Rama në vitin 2014 solli largimin e shërbimeve nga qytetarët dhe dëmtoi veçanërisht zonat rurale.
'Plotësoi tërësisht kriteret dhe kushtet e platformës së Çubrilloviçit për largimin e shqiptarëve nga trojet e tyre" theksoi Berisha gjatë bashkëbisedimit me qytetarët.
Reforma ka rritur numrin e punonjësve në administratë dhe ka ulur investimet në fshat. PD propozon rikthimin e bashkive dhe komunave të mëparshme, duke theksuar se zona si Devolli kanë të drejtë të kenë pushtetin vendor më pranë qytetarëve.
Pjese nga bashkebisedimi
Uesli Arben Shurdho: Doktor Berisha, përshëndetje dhe respekte. Ju organizuat para pak ditëve një takim me ekspertë për ndarjen territoriale. Por a mund të informoni më konkretisht për bashkitë e vogla po të mesme, si për shembull bashkinë Devoll, se ne si qytetarë duam që bashkinë ta kemi sa më afër?
Sali Berisha: Reforma territoriale që bëri Edi Rama është një reformë, e cila plotëson tërësisht kriteret dhe kushtet e platformës së Çubrilloviçit për largimin e shqiptarëve nga trojet e tyre.
Vaso Çubrilloviç në elaboratet e tij shkruante se për t’i larguar shqiptarët nga trojet e tyre, nuk duhet t’u ndërtojmë infrastrukturë, nuk duhet t’u ofrojmë shërbime, duhet t’ua mërzisim jetën.
Të gjitha këto ishin kriteret që Edi Rama vendosi në reformën që bëri në vitin 2014. Largoi masivisht shërbimet nga qytetarët.
Mashtroi, deklaroi se kjo po bëhet për të lehtësuar barrën e zyrtarëve mbi shpatullat e qytetarëve.
Në të vërtetë numri i patronazhistëve që paguhet me rroga në njësitë e pazgjedhura nga qytetarët, është sot dyfish.
Sot, si kurrë më parë, ka bashki, të cilat paguajnë punonjës 8 herë më shumë se në vitin 2013.
Ndërkohë investimet në Shqipërinë rurale janë më qesharaket dhe më të paqenat se kurrë më parë.
Kështu që në platformën tonë pa diskutim që ne kërkojmë rikthimin e të gjitha bashkive dhe komunave të cilat kanë një numër të përfillshëm qytetarësh.
Dhe Devolli, dhe jo vetëm, kanë plotësisht të drejtë të kërkojnë.
(Kosova Sot Online)
