Khamenei ende po shërohet nga lëndime të rënda
Udhëheqësi i ri Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ende po shërohet nga lëndime të rënda në fytyrë dhe këmbë, të marra gjatë sulmit ajror që vrau babanë e tij në fillim të luftës, kanë thënë për Reuters tre persona të afërt me rrethin e tij të brendshëm.
Sipas tyre, Khamenei ka pësuar deformime në fytyrë gjatë sulmit në kompleksin e udhëheqësit suprem në qendër të Teheranit dhe ka marrë lëndime serioze në njërën ose të dyja këmbët. Megjithatë, 56-vjeçari po shërohet dhe mbetet mendërisht i kthjellët, kanë shtuar burimet që kërkuan anonimitet për të folur mbi çështje sensitive.
Ata thanë se ai po merr pjesë në takime me zyrtarë të lartë përmes konferencave audio dhe është i përfshirë në vendimmarrje për çështje të mëdha, përfshirë luftën dhe negociatat me Uashingtonin.
Pyetja nëse gjendja e tij shëndetësore e lejon të drejtojë shtetin vjen në një periudhë tensioni të lartë për Iranin, ndërsa në Islamabad të Pakistanit kanë nisur bisedimet e paqes me Shtetet e Bashkuara.
Sipas Reuters, nuk ka pasur foto, video apo regjistrime të tij publike që nga sulmi ajror dhe pas emërimit të tij si pasardhës i babait më 8 mars.
Misioni i Iranit në OKB nuk ka komentuar për shkallën e lëndimeve apo mungesën e paraqitjeve publike.
Khamenei është plagosur më 28 shkurt, ditën e parë të luftës, në një sulm që vrau edhe anëtarë të familjes së tij, përfshirë bashkëshorten, kunatin dhe kunatën, sipas raportimeve.
Nuk ka deklarata zyrtare iraniane për shkallën e lëndimeve, megjithatë një spiker i televizionit shtetëror e ka quajtur atë “janbaz”, term që përdoret për të plagosurit rëndë në luftë.
Sipas burimeve të Reuters, përputhje me një deklaratë të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili më 13 mars tha se Khamenei ishte “i plagosur dhe ndoshta i deformuar”.
Një burim i inteligjencës amerikane i tha Reuters se Khamenei besohet të ketë humbur një këmbë, ndërsa CIA nuk ka komentuar për gjendjen e tij. As zyra e kryeministrit izraelit nuk ka dhënë përgjigje.
Analisti Alex Vatanka nga Middle East Institute tha se, pavarësisht seriozitetit të lëndimeve, është e vështirë që një udhëheqës i ri dhe pa përvojë të ushtrojë të njëjtin autoritet si babai i tij.
(Kosova Sot Online)
