JD Vance paralajmëron Iranin
Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, mbërriti së fundmi në Islamabad së bashku me delegacionin amerikan, bëri të ditur një burim i aviacionit për BBC-në.
JD Vance së bashku me të dërguarin special Steve Witkoff dhe Jared Kushner pritet të marrin pjesë në bisedime me Iran më vonë gjatë ditës së sotme.
Vance dhe ekipi i tij i negociatorëve u nisën dje nga SHBA drejt Pakistan, dhe pak para nisjes, zëvendëspresidenti u tha gazetarëve se “pret me padurim negociatat”, por paralajmëroi se nëse Irani “përpiqet të luajë me ne”, SHBA nuk do të tregojë mirëkuptim.
Ku do mbahen negociatat?
Pakistani shpalli dy ditë pushim zyrtar në kryeqytet para bisedimeve, siç bëjnë zakonisht autoritetet për ngjarje të mëdha diplomatike për arsye sigurie.
Hoteli Serena në zonën e fortifikuar të Islamabadin, ku janë dislokuar mbi 10.000 policë, forca paramilitare, rangerë dhe personel i ushtrisë, u zbraz nga mysafirët më 8 prill për të pritur këto bisedime.
Kush janë delegacionet?
Vance udhëheq delegacionin amerikan së bashku me të dërguarin e posaçëm Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Iran ka dërguar ministrin e Jashtëm Abbas Araghchi dhe kryetarin e Parlamentit Mohammad Baqer Qalibaf, i cili ka qenë shumë i zëshëm në deklaratat kundër SHBA-së javët e fundit.
Kryeministri i Pakistan, Shehbaz Sharif, tha se bisedimet janë “ose tani ose kurrë”, raportuan disa media. Palët pritet të komunikojnë në mënyrë indirekte përmes zyrtarëve pakistanezë, në vend se të zhvillojnë takime ballë për ballë.
Pse janë negociatat e vështira?
Trump ka akuzuar Iranin për shkelje të kushteve të marrëveshjes së armëpushimit të arritur më 7 prill, duke vendosur kufizime mbi transportin detar përmes ngushticës, një arterie kyç për dërgesat e naftës dhe gazit nga Gjiri Persik. Përmes kësaj rruge detare kalon rreth 20 për qind e naftës dhe gazit në botë.
Postimi në Truth Social i Trumpit erdhi jo shumë kohë pasi kryetari i parlamentit iranian Mohammad Baqer Qalibaf, i cili do të jetë pjesë e delegacionit të Iranit, shkroi në X se “një armëpushim në Liban dhe lirimi i aseteve të bllokuara të Iranit… duhet të përmbushen para se të fillojnë negociatat”.
Ndërkaq, më herët Trump tha për New York Post se SHBA-ja po përgatit luftanijet me armatim, duke sugjeruar se do ta godasë Iranin nëse bisedimet dështojnë.
“Po i armatosim anijet me armët më të mira që janë prodhuar ndonjëherë... Dhe, nëse nuk kemi një marrëveshje, ne do t’i përdorim ato, do t’i përdorim në mënyrë shumë efektive”.
Këto janë bisedimet e para që kur nisi lufta e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt.
(Kosova Sot Online)
