Zhduket arka me paratë e besimtarëve
Një vjedhje e rëndë ka ndodhur dje në fshatin Isniq të Deçanit, ku cak i hajnave ka qenë xhamia e fshatit.
Burimet bëjnë me dije se rasti është zbuluar nga mirëmbajtësi i objektit fetar, i cili kur ka shkuar në xhami ka vërejtur se dera ishte e hapur.
Pasi ka hyrë brenda, ai ka konstatuar se mungonte arka e xhamisë, e cila ishte e fiksuar pranë raftit të këpucëve dhe ku besimtarët hidhnin donacionet e tyre.
Sipas informatave të para, shuma e parave që ndodhej brenda nuk dihet ende, pasi arka ishte e mbyllur në momentin kur është marrë.
Hetimet fillestare kanë ngritur dyshimet se autori ka hyrë në objekt pa përdorur forcë, pasi çelësat e derës së xhamisë, sipas deklarimeve, mbaheshin të varur pranë hyrjes së objektit.
Në vendngjarje kanë dalë njësitë e hetimeve dhe forenzikës, të cilat kanë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe kanë nisur grumbullimin e provave për identifikimin e autorit.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë” dhe mbetet nën hetime.
Hajni nuk u mjaftua me paratë e besimtarëve – mori krejt arkën dhe u zhduk pa lënë gjurmë.
(Kosova Sot Online)
