Pas 100 vjetësh filloi të punojë ora e drejtësisë për shqiptarët

Pas 100 vjetësh filloi të punojë ora e drejtësisë për shqiptarët
  • 02 November 2017 - 08:08

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPITI

Nuk ka më asnjë shpresë as politika, as prokurorët, as Kryeprokurori A.Llalla dhe as Kryeministri Berisha, dhe as Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë për të sabotuar dhe për të penguar zbatimin e Ligjit të VETTING-ut. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë rrëzoi ankesën e Unionit të Gjyqtarëve të cilët kërkonin shfuqizimin e 25 neneve të tre ligjeve pasi, sipas tyre, ato ishin drastike. Pra, dështoi përpëlitja e fundit edhe e gjyqësorit në Shqipëri kundër VETTING-ut. Pas fitores politike kundër politikanëve të kriminalizuar, VETTING-u e fitoi edhe betejën ligjore me Unionin e Gjyqtarëve shqiptarë, Reformë e cila u mbështet nga SHBA, BE dhe Komisioni i Venecias. Dita e 30 tetorit 2017 shënon orën e kthesës dhe shpresës së madhe për shqiptarët. Nuk po shkojmë thellë dhe larg në Histori, por po ta shohim edhe vetëm Historinë 100- vjeçare të Shtetit, politikës, drejtësisë dhe të shoqërisë shqiptare problem më i madh ka qenë Drejtësia. Shqiptarët edhe pse 100 vjet shtet kanë vuajtur dhe e kanë pësuar nga padrejtësitë. Aq e vërtetë është kjo, pasi kur e kanë studiuar edhe mendimtarë, politikanë dhe diplomatë të huaj vendin tonë ,Shqipërinë dhe Historinë e saj janë habitur se si është e mundur që edhe ka mbijetuar shteti ynë, i cili në shumë raste ka rënë dhe është ringritur mundimshëm dhe përvuajtshëm.

Ndërhyrja vendimtare e SHBA-së

Mbijetesa e Shtetit shqiptar është meritë e vetëm shqiptarëve të cilët duruan gjithfarë regjimesh, klikash dhe pushtetesh të politikanëve të cilët për interesa të tyre nuk kursyen por sakrifikuan dhe tradhtuan interesat dhe imazhin kombëtar, tradhtuan dhe spekuluan tmerrësisht me sakrificat dhe vuajtjet e popullit të vet. Aq e tmerrshme ishte gjendja e drejtë- sisë shqiptare sa që edhe vetë shoqëria ishte paralizuar nga padrejtësia dhe nga krimi i politikës dhe i drejtësisë, prej së cilës shqiptarët braktisin Shqipërinë dhe marrin arratinë në Evropë. Si rezultat e pasojë i këtij realiteti u desh ndërhyrja vendimtare e SHBA-së për ta miratuar Reformën në Drejtësi, fitoren e VETTING-ut, ngritjen e institucioneve të tij dhe fillimin e funksionimin e tij. Aleati ynë i madh SHBA pasi e pa se çfarë politikanësh ordinerë, halabakë, injorantë, tradhtarë dhe hajdutë e të kriminalizuar të cilët e kishin kapur shtetin, shoqërinë dhe drejtësinë shqiptare, dhe pasi përcaktuan diagnozën e sëmundjes së rëndë e të pashërueshme në Shqipëri, në politikë, pushtet, drejtësi dhe në shoqëri, e cila ishte padrejtësia, ata gjetën dhe ilaçin për kurimin e saj, që ishte Dekriminalizimi i politikës shqiptare dhe VETTING-u i sistemit të Drejtësisë, pra sundimi i Ligjit, i cili është ilaçi që e ruan dhe shëron edhe vetë demokracisë, pra, ligji dhe sundimi e zbatimi i tij njëlloj dhe barabar për të gjithë, që është vetë thelbi i VETTING-ut.

VETTING-u është për shqiptarët fitorja e dytë, pas asaj të Pavarësisë

Më në fund falë tërësisht vullnetit dhe këmbënguljes së SHBA dhe të BE-së ,tashmë me fillimin e funksionimit të VETTING-ut , fillon të punojë edhe ora e koha për shqiptarët, për shtetin modern shqiptar dhe për kombin shqiptar, sepse VETTING-u do të ketë pasoja jo vetëm për Drejtësinë, por edhe për shoqërinë, për politikën, për demokracinë dhe për Shtetin, sepse ata do të fillojnë të funksionojnë me fillimin e funksionimit të VETTING-ut. VETTING-u është për shqiptarët fitorja e dytë pas asaj të Pavarësisë, sepse me fitoren e Drejtësisë fillon vrullshëm edhe konsolidimi i lirisë, pavarësisë, progresit, emancipimit, demokracisë dhe i integrimit të Shqipërisë. Dhe për këtë i detyrohemi shumë Aleatit tonë të madh, SHBA-së. VETTING-u është fitore shumë e madhe sepse shteti, shoqëria, drejtësia, sistemi politik, demokracia dhe drejtësia do të fillojnë të punojnë dhe t'i binden që të gjithë pa dallim Ligjit. Kjo do të ndodhë me çdo kusht pasi garant i funksionimit të ligjit do të jenë SHBA dhe mbikëqyrësit apo vëzhguesit ndërkombëtarë, ONM , Operatori Ndërkombëtar i Monitorimit, të cilët janë të paanshëm dhe të pavarur nga politika dhe nga korrupsioni i shqiptarëve dhe të cilët do të vlerësojnë komisionet e VETTING-ut.

(Kosova Sot)