Republika e Kosovës nuk është pronë e politikanëve

Republika e Kosovës nuk është pronë e politikanëve
  • 12 April 2019 - 08:40

Lënia edhe më tutje e fatit të Kosovës në duart e një klase të korruptuar dhe të shantazhuar politike do të jetë rrezik akoma më i madh për vendin

Duhet të ngrihemi të gjithë kundër politikanëve të korruptuar, t'i largojmë sa më parë nga kolltuku i pushtetit, sepse Republika e Kosovës është atdheu ynë, nuk është produkt dhe as pronë e tyre, për shkak se për 20 vjet rresht e trajtuan Kosovën si plaçkë lufte, ndërsa qytetarët si skllevër të tyre

Ata që mendojnë të presin fundin e mandatit të kësaj qeverie, gjegjësisht përmbysjen e këtyre strukturave korruptive me votë të "lirë", do të zhgënjehen akoma më keq, ngase deri atëherë këta liderë të korruptuar do ta rëndojnë akoma më shumë jetën e qytetarëve, do ta ngulfatin vullnetin e shumicës shqiptare në Kosovë.

Mirëpo, siç po shihet, zgjedhjet parlamentare mund të jenë shumë afër shkaku i humbjes së legjitimitetit të kësaj qeverie nga humbja e besimit në popull dhe nga humbja e besimit të partnerëve të koalicionit në njëri-tjetrin.

Do të ishte absurde t’i lejohet kësaj qeverie të shkojë tutje me qeverisjen e shumicës shqiptare me 52 deputetë dhe me votat e pakicës minoritare serbe, kësaj pakice e cila përveçse nuk e njeh Republikën e Kosovës, e saboton dhe shkatërron nga brenda ekzistencën e shtetit tonë.

Në Kosovën e sotme, me secilin që flet veç e veç, askush nuk pajtohet me situatën e krijuar, mirëpo kur është në pyetje bashkërendimi i forcave (organizimi), të gjithë hezitojnë, sikur mungon vullneti dhe guximi qytetar për t'u përballur me sfidat e kohës! Zërat kundërshtues nga popullata duhet të bëhen më aktivë, më të zhurmshëm dhe më sfidues për pushtetarët, për shkak se situatën e heshtur të popullatës janë duke e shfrytëzuar në mënyrën më të mirë pushtetarët, liderët e dështuar shtetërorë dhe partiakë, duke u thirrur në "vullnetin" e heshtur të qytetarëve!

Heshtja e qytetarëve impresionon pushtetarët e korruptuar

Qeveritarët, të impresionuar me heshtjen e popullatës, i kanë shtuar zërat për vazhdimin e dialogut të Brukselit, vrastar për Kosovën, të bindur në mandatin e tyre "kushtetues".

Koalicioni aktual qeverisës PAN-Lista "Srpska", përmes bisedimeve të Brukselit, është duke e shpërblyer Serbinë përveç me territor dhe sovranitet në mbi 25 për qind të territorit të Kosovës, edhe me integrim të shpejtë në BE, duke e gjymtuar kështu pavarësinë e shtetit dhe tkurrur sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Me marrëveshjet e Brukselit, klasa e stërkequr politike e Kosovës ka nënshkruar kapitullimin e Kosovës duke pranuar të gjitha kërkesat e Qeverisë së Beogradit, siç janë; fusnota*, mosnjohja e pavarësisë dhe institucioneve të Kosovës, Asociacioni i komunave serbe me kompetenca ekzekutive, me lidhje të drejtpërdrejtë me Beogradin.

Jo vetëm kaq, Qeveria e kuislinge në Prishtinë Serbisë ia plotësoi të gjitha dëshirat, ia fali dëmet e luftës, ia rehabilitoi kryesit e masakrave ndaj shqiptarëve, pra i falën vrasësit, paramilitarët, kriminelët, duke i sistemuar nëpër institucionet kyçe të vendit, si në Qeveri, Parlament, FSK, Polici,...etj!

Pushtetarët aktualë përmes dialogut të Brukselit, përveç ‘Zajednicës’, do ta degradojnë akoma më tepër sovranitetin e shtetit me zgjerimin territorial dhe politik të pakicës serbe në Kosovë.

Mentaliteti primitiv i politikanëve rrënoi shpresat e qytetarëve

Kjo klasë politike Kosovën e pasur me resurse natyrore dhe pasuri të shumta nëntokësore e ka bërë të pajetueshme për qytetarët!

Sipas logjikës qeverisëse të këtyre politikanëve, të drejtë punësimi në institucione shtetërore të këtij vendi kanë vetëm familjarët e tyre dhe militantët partiakë, ndërsa për qytetarët që nuk janë pjesë e partive në pushtet (shumica e popullatës) nuk ka shpresë dhe perspektivë për asgjë në këtë vend.

Për këtë realitet të hidhur, ditët e fundit na ka rënë t'i dëgjojmë edhe zyrtarët e partive në pushtet duke e thënë hapur; "Po t'u jepet rasti, do t'i punësonin në vendet më të mira krejt farefisin, shoqërinë e tyre dhe klientelën partiake".

Ky është mentaliteti primitiv i politikanëve të sotëm që qeverisin vendin.

Andaj, jo rastësisht shkaku i politikanëve të papërgjegjshëm shteti i Kosovës është bërë i neveritshëm dhe i paperspektivë për jetë për qytetarët e saj.

Është e dhimbshme dhe e tmerrshme njëkohësisht gjendja në të cilën e kanë sjellë shtetin kjo klasë kusarësh politikë, që nuk shohin përtej hundës së tyre, që nuk shohin gjë tjetër përveç lekut dhe privilegjeve të pushtetit.

T'i ndalim sot, nesër mund të bëhet vonë

Për ndaljen e dialogut të pabarabartë me Serbinë në Bruksel dhe ndërrimin e kursit qeverisës, përkatësisht të ndryshimit substancial në qeverisjen e vendit, ekziston vetëm një zgjidhje; ajo është revolta e përgjithshme popullore, padëgjueshmëria qytetare ndaj institucioneve të korruptuara deri të bllokimi i tërësishëm i jetës institucionale.

Prandaj, duhet të ngrihemi të gjithë kundër politikanëve të korruptuar, t'i largojmë sa më parë nga kolltuku i pushtetit, sepse Republika e Kosovës është atdheu ynë, nuk është produkt dhe as pronë e tyre, për shkak se për 20 vjet rresht e trajtuan Kosovën si plaçkë lufte, ndërsa qytetarët si skllevër të tyre.

Lënia edhe më tutje e fatit të Kosovës në duart e një klase të korruptuar dhe shantazhuar politike do të jetë rrezik akoma më i madh për vendin.

Çdo ditë e mbetur në pushtet e kësaj klase politike është një ditë e humbur për Kosovën dhe një ditë më pak për qytetarët.

(Kosova Sot)