Hebrenjtë dhe Prishtina (2)

Hebrenjtë dhe Prishtina (2)
Hebrenjtë dhe Prishtina (2)

Faton Abdullahu

  • 26 May 2019 - 14:09

Hebrenjtë janë parë si punëtorë të vyeshëm dhe si kursimtarë të pasionuar. Kur prishej ndonjë shtëpi e vjetër në Prishtinë, për të cilën thuhej se dikur kishte qenë pronë e ndonjë hebreu, si me gjysmë shakaje thuhej të shikohej me kujdes të shtuar gjatë demolimit se mos po gjendet ndonjë qyp i fshehur me lira apo edhe para të gatshme. Mbase kjo tregonte për atë prirjen e vjetër të hebrenjve anekënd botës e jo vetëm tek ne, që të kursejnë para për ditë të zeza, sepse fati i keq ata më së shumti i kishte bërë udhëtar nga një vend në një vend tjetër. Kjo atyre do t’ju ndodh edhe në Prishtinë.

Mund të shpjegohet në mënyra të ndryshme dhe mund të thuhen e sillen shumë të dhëna, por e vërteta është se për faktin pse sot nuk ka hebrenj në Prishtinë, nuk dihen shumë gjëra dhe shumë të tjera mbase janë thashetheme, jo gjithmonë lehtë të dallueshme prej gojëdhënave të vërteta të bartura brez pas brezi. Gjëra të shkruara e të argumentuara për këtë çështje pothuajse nuk ka fare. E vërteta është se dikur dhe jo fort moti, në Prishtinë kishte hebrenj dhe sot nuk ka. A ka ekzistuar tek shqiptarët e Prishtinës dhe gjithandej në trojet tona bindja se ata nuk janë qytetarë të mirë, se ata ta zëmë janë bashkëpunëtor të shtetit serb, konkretisht UDB-s famkeqe, se kanë qenë pjesëmarrës në ndonjë krim ndaj shqiptarëve, apo diçka të ngjashme?
A ishte kjo bindje e shumicës prishtinase, prandaj për rrjedhojë sot më nuk kemi hebrenj në kryeqytet? Mbamendja kolektive e prishtinasve nuk shënon raste të tilla. Aq më pak që kjo të ketë qenë karakteristikë e këtij komuniteti që ka jetuar në Prishtinë.

Pse disa romë u bënë hashkali në Prishtinë

Raste të tilla ta zëmë ka pasur për fat të keq te komuniteti romë, tek i cili janë vërejtur prirje për të bashkëpunuar më shumë me serbët e Kosovës, për të qenë kështu më të afërt me pushtetin, se sa me banorët shqiptarë edhe pse ata ishin shumicë. Në të vërtetë tek kjo prirje e romëve se kush bëhej me shqiptarët shumicë e kush me serbët pakicë por në pushtet, në Prishtinë e gjithandej në Kosovë, qëndron shkaku mbi të cilën ka zënë fill ndarja e romëve që ka determinuar diçka unike aspak të njohur e studijuar. Romët që kanë jetuar më afër në lagjet dhe vendet ku shumica ka qenë shqiptare dhe të cilët kanë qenë në raporte më të mira me ata si shumicë, gradualisht janë kthyer në diçka më ndryshe, kanë konvertuar me identitet tjetër, kanë pranuar fenë islame dhe janë bërë, atë që sot njihet si hashkali. Kurse romët që kanë pasur raporte të mira me serbët lokal të cilat edhe pse pakicë në Kosovë, pothuajse gjithmonë kanë pasur pushtetin në duar, kanë marrë fenë e serbëve, pra atë ortodokse dhe kanë mbetur romë ortodoksë me gjuhë të dytë gjuhën serbe, ashtu si gjetiu në Serbi. Edhe në luftën e fundit një prirje e tillë është vërejtur shpluar tek romët. Në anën tjetër tek hebrenjtë diçka të tillë, as edhe të ngjashme, nuk ka pasur. Ata në të shumtën e rasteve kanë qenë qytetarë luajalë, pa ndonjë prirje për të qenë kundër shqiptarëve, sado që nuk shënohet që nga ata të ketë ndonjë përkrahje në luftën anti-jugosllave dhe anti-Serbi të shqiptarëve për pavarësi nga Jugosllavia dhe Serbia, ku e njëjta gjë mund të thuhet edhe për mnoritetet tjera që jetojnë në Kosovë. Thjeshtë duket se nga prishtinasit nuk ka pasur racizëm as edhe urrejtje ndaj hebrenjve. Urrejtjet e ndryshme që thjeshtë ishin urrejtje sa raciale aq edhe fetare të vjetra e të cilat kanë zënë fill shekuj më parë, ndaj hebrenjve, nuk shënohen të ketë pasur. Ata janë parë si njerëz të parrezikshëm që nuk bashkëpunojnë me pushtetin për ti diskriminuar shqiptarët as nuk i pengojnë ata në aspiratatat e tyre. Ata janë parë si punëtorë të vyeshëm dhe si kursimtarë të pasionuar. Kur prishej ndonjë shtëpi e vjetër në Prishtinë, për të cilën thuhej se dikur kishte qenë pronë e ndonjë hebreu, si me gjysmë shakaje thuhej të shikohej me kujdes të shtuar gjatë demolimit se mos po gjendet ndonjë qyp i fshehur me lira apo edhe para të gatshme. Mbase kjo tregonte për atë prirjen e vjetër të hebrenjve anekënd botës e jo vetëm tek ne, që të kursejnë para për ditë të zeza, sepse fati i keq ata më së shumti i kishte bërë udhëtar nga një vend në një vend tjetër. Kjo atyre do t’ju ndodhë edhe në Prishtinë. Konsideroj se një nga arsyet më të mëdha pse hebrenjtë për një kohë të gjatë kanë qenë të diskriminuar të përndjekur dhe të padashur, pse për ata janë thurur histori përbuzëse dhe ofenduese, është fakti se ata e kanë pasur fenë e tyre (monoteiste) larg më herët se të krishterët dhe myslimanët. Kjo përbuzje dhe ky nënçmim, nuk vinte nga ndonjë dallim fizik apo racial, as nga ndonjë prirje e tyre e keqe gjenetike, sepse thjeshtë ata i kishte falë zoti, njëjtë sikur të gjithë të tjerët. Por ata do të kenë një dallim tjetër. Një karakteristikë që nuk e gjejmë gjetiu, fenë hebraike. Tek pasja e një feje tjetër, duhet kërkuar arsyeja e refuzimit që ata e bënin kur ju ofrohej feja e re, raport ky që më pas do të ngjallte revoltën edhe kundërshtimin e anës tjetër, krishterëve e më pas myslimanëve. Kështu kur do të vijë koha e feve të mëdha, si e krishterimit ashtu dhe islamit, dhe kur këto fe në ballafaqimet dhe përpjekjet e tyre për ta shtrirë fenë tutje, hebrenjtë do të jenë ata që do të kundërshtojnë dhe nuk do të pranojnë fenë e re, qoftë atë krishtere, qoftë islame. Përderisa ata nuk e pranonin të renë, por e mbanin me fanatizëm fenë e tyre të vjetër, ata do të jenë herë jo të mirëseardhur, herë të padëshiruar e më së shpeshti të keqinterpretuar, por jo rrallë edhe të sulmuar dhe të diskriminuar. Këtu gjithsesi duhet kërkuar njëra nga arsyet e semitizmit. Në të vërtetë, këtu duhet kërkuar fakti pse shqiptarët edhe pse me fe shumicë myslimane, por edhe pse me fe edhe të krishterë, nuk do ta kenë të shquar këtë lloj konfrontimi me hebrenjtë. Shqiptarët as si të krishterë, as edhe si myslimanë, nuk kanë marrë pjesë në asnjë mënyrë, as në të kaluarën e hershme të tyre në këtë lloj konfrontimi. Fakti pse hebrenjtë nuk janë kthyer në myslimanë, apo në të krishterë, nuk ka qenë diçka aktive as edhe mbresëlënëse në memorien nacionale, kulturore apo fetare të shqiptarëve. Çka është më e rëndësishme, në këtë mbamendje të shqiptarëve nuk kanë pulsuar shumë aktive as edhe me ndikime të theksuara, kallëzimet, gojëdhënat, dhe mitet për hebrenjtë si të ‘pa fe’, apo me fe jo të mirë, për hebrenjtë si mashtrues apo djallëzor, interpretime të cilat i gjejmë në Lindje, për arsyen që e cekëm më lartë dhe më pas të shpërndara gjithandej. Tek shqiptarët, histori të tilla kanë qenë të pakta. Të një natyre krejtë tjetër, pa këtë bazë fetare, ata i kanë pasur gojëdhënat dhe kallëzimet e veta origjinale, të cilat janë në mitologjinë e tyre të lashtë dhe në trashëgimin kulturore e të cilat i gjejmë edhe në përralla edhe në gojëdhënat edhe në të drejtën zakonore që është margaritarë i qytetërimit evropian. Prandaj përveç asaj që është kryesorja, pse shqiptarët i kanë mbrojtur hebrenjtë e që qëndron në të drejtën e tyre zakonore, konkretisht në institucionin e lartë të ‘mikut të shtëpisë’ dhe të ‘besës së dhënë’, kjo qasje humane ndaj hebrenjve të shfaqur, gjithsesi më shumë në Shqipëri, duhet kërkuar edhe në atë që te shqiptarët në Ballkan, te kultura dhe e drejta e tyre zakonore, nuk ka pasur anti-semitizëm.

Foto 1 Qarshia e Prishtines ku dikur kane jetuar dhe punuar hebrenjte

(Kosova Sot Online)