Diplomacia dyfytyrëshe e liderëve ballkanikë dhe shkaqet e saj!

Diplomacia dyfytyrëshe e liderëve ballkanikë dhe shkaqet e saj!
Diplomacia dyfytyrëshe e liderëve ballkanikë dhe shkaqet e saj!

Enver Bytyçi

  • 17 August 2019 - 16:30

Autoritetet e Beogradit njoftuan të martën e shkuar se agjencitë e huaja të zbulimit po përgjojnë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç si dhe familjarët e tij. Ky lajm i përhapur me aq zell në Serbi dhe proklamuar si skup nga disa media shqiptare kishte si objektiv të rritë autoritetin dhe prestigjin e kreut të shtetit serb në elektoratin përkatës, por njëkohësisht duhet trajtuar edhe si një fenomen që lidhet me sjelljen dhe performancën e liderëve politikë të Serbisë e të Ballkanit Perendimor.

 

Nëse studiojmë këto sjellje, në tërësinë e tyre ato mund të përmblidhen me një fjali – Janë sjellje me shumë fytyra, janë sjellje prej servilësh, hipokritësh dhe shtetarësh që bashkëpunojnë me shumë partnerë, ortakë e padronë, me llogari specifike për secilin prej tyre. Dhe ky lloj diskursi po zhvillohet edhe në Prishtinë, debat i cili ka evidentuar sjelljet servile të shumicës së kastës politike dhe jo servile të ndonjë politikani. Në kategorinë e jo servilëve veçohet kryeministri në largim, Ramush Haradinaj. Ndërsa në kategorinë e servilëve trajtohen presidenti Thaçi, Kadri Veseli e tw tjerw politikanë. 

Po në Tiranë?! Etalon i shumë fytyrësisë në marrëdhëniet me aleatët perëndimorë është dhe mbetet kryeministri Rama. Jo thjesht për marrëdhëniet e ngushta të tij me presidentin autokrat të Turqisë, por më së shumti kjo lidhet me akrobacitë dhe megalomaninë e tij politike e diplomatike. Këto akrobaci të kryeministrit të Shqipërisë janë të njohura, të shpallura publikisht, përmes preferencave të tij në marrëdhëniet me krerët e shteteve tjera, sidomos në rajon. Janë shpallur gjithashtu përmes ideve dhe nismave destabilizuese rajonale e shumë aspekte të tjera.

 

Ajo që bën përshtypje ka të bëjë me një praktikë kontradiktore në qëndrimet politike përballë publikut dhe ndërkombëtarëve. Rasti i taksës për mallrat serbe e boshnjake është vërtet trishtues. Ndërsa në takimet me personalitetet ndërkombëtare, si Rama dhe Thaçi pajtohen me heqjen e taksës, në deklarimet publike janë të tërhequr e madje, sipas Thaçit, taksa prej 100 përqind duhet të ruhet. Samiti i Berlinit i 29 prillit të këtij viti ishte dëshmi e një shëmtie deri në absurd, kur kreu i ekzekutivit të Shqipërisë dhe kreu i shtetit të Kosovës iu bashkuan ankesës së presidentit të Serbisë para Merkel e Macron për heqjen e taksës në fjalë dhe sulmuan ashpër kryeministrin e Kosovës, duke e lënë atë të vetëm në këmbënguljen e tij për ruajtjen e saj deri në njohjen nga Serbia.

 

Një hulumtim i sipërfaqshëm i këtij qëndrimi hipokrit të udhëheqësve ballkanikë çon në përfundimin se shkaqet e dyfytyrësisë së liderëve politikë e shtetërorë ballkanikë lidhen me disa faktorë.

Së pari me shkallën e korrupsionit dhe implikimin e tyre në vepra kriminale. Të korruptuarit dhe inkriminuarit si Rama, Thaçi dhe Vuçiç nuk ushtrojnë pushtet sipas parimeve. Të tillë udhëheqës bëhen autoritarë dhe sundojnë me dorë të fortë. Prodhojnë armiq, jo kundërshtarë. Kësisoj shkojnë drejt demonizimit të autoritetit dhe pushtetit që kanë, me qëllim që duke qenë faktorë në vendet që drejtojnë të imponojnë mbështetjen ndërkombëtare. Kur hasin në kritikat e Perendimit ata u tregojnë derën e Lindjes, pra mundësitë dhe marrjen në mbrojtje psh nga Turqia ose nga Rusia.

 

Të kësaj kategorie tipike janë Rama dhe Thaçi, ndërsa Vuçiç përveç përfitimeve prej pushtetit, përdor gjithashtu nacionalizmin ekstrem serb si mundësi dhe urë lidhjeje me Rusinë. Fakti i publikuar për përgjimin që atij i bëhet ka lidhje lidhjet e ngushta që ai ruan me Rusinë e Putinit. Serbia është një vend që dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Por ndërkohë ajo dëshiron të ruajë lidhje e marrëdhënie strategjike me Rusinë. Në këto kushte është në interes të BE-së dhe SHBA-ve të njohin shkallën e lidhjeve serbo-ruse, me qëllim që të mos sjellin në bashkësinë perendimore një vend satelit të Moskës.

 

Së dyti, dyfytyrësia ose shumë fytyrësia e Vuçiç nuk lidhet vetëm me implikimin e tij në korrupsion, por dhe me bindjet dhe idetë nacionaliste që ai dëshiron t’i ruajë në raport me aleatin tradicional të Serbisë, Rusinë. Ndërsa Rama dhe Thaçi kanë vendosur që në planin strategjik të mbrojnë korrupsionin dhe krimin antishqiptar të tyre përmes kërcënimit të Perendimit me një aleancë tradicionale me autokratin turk, Rexhep Tayp Erdogan. Kësisoj dy liderët shqiptarë kërcënojnë Brukselin dhe Uashingtonin, njësoj siç bën Vuçiç me presionin e lidhjeve të tij me Moskën. Ndërsa të tre këta me metodën e servilizmit para ndërkombëtarëve në sy dhe bashkëpunimit me udhëheqës lindorë autoritarë shndërrohen kësisoj në rrezik për paqen e stabilitetin rajonal.

(Kosova Sot Online)