Nexhmija përloti Sallën e Koncerteve në Tiranë

Nexhmija përloti Sallën e Koncerteve në Tiranë
Nexhmija përloti Sallën e Koncerteve në Tiranë

Idriz Zeqiraj

  • 20 February 2020 - 15:46

Nexhmije Pagarusha, hyjnesha e skenës

Viti 1970. Në kuadrin e shkëmbimeve kulturore, ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, Seksioni i Kulturës pranë Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, kishte ftuar Nexhmije Pagarushën dhe Zef Tupecin, për vizitë në Shqipëri. Me këtë rast, mysafirët e nderuar u bënë pjesë e një shfaqje të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve të Shqipërisë.

 Në hyrje të Pallatit të Kulturës, ishte vënë një pllakatë, ku njoftohej se Ansambli Shtetëror jep shfaqje, me pjesëmarrjen e kosovarëve Nexhmije Pagarusha dhe Zef Tupeci. Interesimi, kurreshtja ishte e shtuar, sepse në atë skenë kishin pëerformuar rusë, kinezë, aziatikër të tjerë, evropianë të kuq, por jo edhe shqiptarë nga Kosova!

Natyrisht, më të interesuarit për këtë shfaqje ishin ikanakët e Kosovës, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Kur themi të Kosovës, përfshihen të gjitha trojet shqiptare, të mbetura jashtë Shqipërisë londineze. Andaj, edhe sigurimi i biletave u vështirësuar. Megjithatë, disa nga ne, ikanakët e vonshëm, kryesisht, studentë, arritëm t`i siguronim biletat.

Shfaqjet e Ansamblit shtetëror, gjithëherë shoqëroheshin me një solemnitet të veçantë, ku të pranishëm ishin edhe ndokush nga byroistët e partisë-shtet. Edhe asaj mbremje ashtu ndodhi. Përgaditja profesionbale, këndim e vallëzim, ishte harmonizuar mjeshtërisht. Krejt në fund të programit, moderatorja prezanton  praninë e dy artistëve kosovarë dhe i ftonë në skenë. 

Dalja në skenë e Nexhmije Pagarushës ishte hyjnore. Atëbotë, 37 vjeçare, gjithë sharm e bukuri, rrezatonte mirësi e fisnikëri të pafundme. Përformimi skenik, inteligjenca, ngrohtësia interpretuese, finesa e papërsëritshme, të harmonizuara me hijeshinë e pashoqe, maxhepsën publikun e shkolluar  dhe buzëhollë, me sqimë të Tiranës. Përshëndetja, sa përulëse, aq edhe krenare, falenderuese për duartrokitjet e stërzgjatura të artdashësve metropolian, të Nexhmijës, jo vetëm për nga ndjesia, por edhe nga shkëlqimi i skajshëm, ishte risi në këtë skenë artistike. Në fjalët që i dilnin nga mendja dhe zemra - njëherësh, përçoi mesazhin e mallit dhe të dashurisë së shqiptarëve të Kosovës, për Shqipërinë nënë. Publiku, i prekur në ndjesinë vëllazërore, shpërtheu në duartrokitje. Nexhmija përloti Sallën e Koncerteve në Tiranë.

Bilbili i Kosovës, Nexhmije Pagarusha, këndoi tri këngë, nën shoqërimin me def nga Zef Tupeci. Nga salla u përsëritën, si në kor, "Baresha, Baresha!" Por, përgjigjia ishte vetëm buzëqeshja e ëmbël, plot keqardhje, e Nexhmijes. Jashtë sallës u tha se mungonte orkestrimi shoqërues muzikor. Por, më shumë u përfol, në surdinë, se "ishte jashtë standardit ideologjik komunist", për kohën, hapësirën, vendin, Shqipërinë tonë supër-staliniste!

Dëshira e ikanakëve shqiptarë të Kosovës, të ardhur në Shqipërinë e vjetër dhe të re, për t`u takuar e përshëndetur me binomin artistik, Nexhmijen dhe Zefin, mbetën pengu  i tyre. Viti 70-të, ishte shumë herët, një komunikim mes shqiptarëve, në të dy anë e kufirit. Shoqërimi i rreptë nga salla në Hotel "Dajti", me hyrje të ndaluar për të pa autorizuarit, pamundësonte komunikimin. Kjo vlente edhe për Profesor Eqrem Qabejn dhe shkrimtarin Jakov Xoxa, kur prisnin në Lulishtën "Rinia", përballë "Dajtit", për t`i takuar absolventët e Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Rugovën dhe Rexhep Ismajlin, në vizitën e tyre të parë në Shqipëri, më 1971. Madje, edhe për këtë lloj takimi, kërkohej leje përkatëse.

Ritakimi i Nexhmije Pagarushës me këngëtarën Fitnete Rexha, ishte emocional. Familja Pagarusha, në vitet `40-a, kishin qenë fqinj me banim në Tiranë. Dhe, ishin pritur e trajtuar me përzemërsi nga Familja Rexha. Babë Rexha, siç e thërrisnin tiranasit dhe më gjerë, ishte njeri i zëshëm. Ai u vra më 1946.

Me rastin e tërmetit në Durrës e Thumanë, u fol shumë për mikpritjen e shqiptarëve të Kosovës, madje, "me epërsi, krahasuar me shqiptarët e Shqipërisë londineze!?" Në tej 70 viteve jetë, më shumë të jetuara në Shqipëri, se sa në Kosovë, mendoj se është e kundërta. Mikpritja e Shqipërisë së vjetër, me gjithë varfërinë e skajshme, dikur, është proverbiale. Shqiptarët atje janë shumë më afër Kanunit, traditës shqiptare. Gajreti i shqiptarëve londinezë, tejkalon atë të shqiptarëve të Kosovës. Dhe, kjo është provuar që nga pritjet e refugjatëve masivë të shqiptarëve të Kosovës dhe të trevave tjera shqiptare, pas Lidhjes të Prizrenit si dhe përgjatë dekadave të mëvonshme, me shpërnguljet dhunëshme, nga trojet e tyre lindake.

Ligësia irrituese e shpifësve

Në ditën e varrimit, në ditën e zisë kombëtare, kur arkmorti, me trupin e pajetë të Nexhmije Pagarushës, bartej bulevardit të Prishtinës, gazetari Reshat Sahitaj, nga Brukseli, villte vrerë për simbolin e dashurisë së popullit, kur shqiptarët e kudondodhur, me lot e dhimbje, po i jipnin lamtumirën e fundit! Përçudshëm, si e pikasi, pikërisht, këtë ditë, për lansimin e një shpifje të madhe, kundër Nexhmijës!? 

Gazetar Reshati na kujton ndoca biçim "inelektualë" në vitet `60-a, të cilët në vend të mburrjes me zërin, këngën, artin e Nexhmije Pagarushës, e përcillnin me shpifje e denigrim, vese këto të provincialëve profanë. Në mes tjerash, llapaqenët llomotisnin se Nexhmija vizitat mjekësore i bën ke doktori gjinekolog serb. Për hir të vërtetës, mjekësia, qoftë edhe ajo e bërë nga doktorët serbë, ka qenë shumë korrekte. Shkrimtari Gorki shkruan: "Mos mohoni gjithëçka tek tjetri, sepse rrezikohesh të të mos të besojë askush për asgjë".

Ndoshta, si rrethanë lehtësuese për gazetarin Sahitaj, mund të shërbejë çekuilibrimi i tij, edhe në dy raste paraprake:

1) Për ta arritur, pa meritueshëm, ndihmën sociale belge, bëri veprime spektakulare publike jo normale, njëjtë sikur ndoca "politikanë" të Kosovës dhe të Maqedonisë, në Zvicër dhe gjetkë në Evropë, më vonë "komandantë të UÇK-së!!"

2)  "Vehbiu donte ta helmonte Beogradin e Kralevën", duke helmuar ujin e pijshëm, shkruante, dikur, Reshat gazetari. Por, helmimi masiv është hiç më pak se terrorizëm. Rrjedhimisht, ai e justifikon vrasjen e Vehbi Ibrahimit nga Serbia, sot dëshmor i Kosovës.

  Zot, na ruaj nga shpifësit e çekuilibruar!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"