Është koha që edhe Kosova ti qesë kushte BE-së për vazhdimin e dialogut me Serbinë, liberalizimi i vizave kushti i parë

Është koha që edhe Kosova ti qesë kushte BE-së për vazhdimin e dialogut me Serbinë, liberalizimi i vizave kushti i parë
Është koha që edhe Kosova ti qesë kushte BE-së për vazhdimin e dialogut me Serbinë, liberalizimi i vizave kushti i parë

Gani Qarri

  • 10 korrik 2020 - 07:12

Shkruan: Gani Qarri

“Është koha e fundit që edhe vet Kosova të bëjë diçka në këtë drejtim dhe në asnjë mënyrë të mos pranojë ta ndërlidhë çështjen e dialogut me liberalizim të vizave, por sidomos para samitit në Paris, të vej kusht dhe këmbëngul që fillimisht të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës, sidomos t`ia bëjë me dije Macronit se edhe vet pjesëmarrja e përfaqësuesve të Kosovës në Samitin e Parisit, pas dështimit të takimit në Vashington,do të varet pikërisht nga gatishmëria e Francës, si bllokuesja kryesore e deritanishme, për liberalizimin e vizave për Kosovën”.

Deri te Samiti i paraparë për tu mbajtur në Vashington, çuditërisht jemi mësuar të shohim e dëgjojmë se si me dhe pa arsye, vetëm Serbia të vë kushte për çdo gjë, për fillimin e dialogut, ndërsa tani, sidomos para Samitit që pritet të mbahet në Paris, përfundimisht ka ardhur koha që Kosova, jo vetëm të mos pranoj keqpërdorimin e dialogut për viza, por pikë së pari të vej kusht heqjen e vizave nga BE, e veçanërisht nga Franca si njëra ndër bllokuesit kryesor të liberalizimit të vizave për Kosovën dhe vetëm pastaj të fillojnë bisedimet. Përndryshe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, do të keqpërdoret serish, njëjtë si demarkacioni me Malin e Zi, si një “karrot e hidhur” mashtruese, vetëm për të joshur pushtetarët e shantazhuar të Kosovës, që të bëjnë përsëri lëshime edhe në dialogun me Serbinë për të arritur marrëveshjen e cila mund të mos jetë e plotë dhe as në interesin e vendit, marrëveshje me kompromise të dhimbshme për shtetësinë e Kosovës, ashtu sikur ka deklaruar në vazhdimësi Hashim Thaçi, duke mos e thënë dhe bërë transparente të vërtetën e frikshme.

Për aq më tepër edhe Raportuesja për Kosovën në parlamentin Evropian Viola Von Cramon ka thënë se kjo çështje do të ishte me interes të shtrohet në samitin e Korrikut në Paris dhe nëse Presidenti i Francës Emmanuel Macron, vërtetë ka dëshirë që Samiti i Parisit të jetë i suksesshëm, duhet të ofrojë diçka, e që kjo diçka do duhej të ishte pikërisht liberalizimi i vizave për Kosovën. Nuk është rastësi që ajo ka thënë se nëse Presidenti i Francës ka interes që Samiti i Parisit i cili është parashikuar të mbahet në korrik, të jetë i suksesshëm,e një sukses i samitit do të thotë të ofrohet diçka, ndaj unë shpresoj që Presidenti i Francës, Emmanuel Macron e kupton, se nëse dëshiron që të ketë sukses Samiti në Paris, parakusht i kësaj duhet të jetë heqja e vizave për Kosovën. Pra, gjithçka varet nga liberalizimi dhe ekonomia sidomos për gjeneratën e re të njerëzve në Kosovë dhe është jo fer që shtetet anëtare të bllokojnë liberalizimin e vizave vetëm për Kosovën, ndaj heqja e regjimit të vizave duhet të ndodhë sa më parë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".