Pse rezolutë e jo memorandum!

Pse rezolutë e jo memorandum!
Pse rezolutë e jo memorandum!

Riza Smaka

  • 11 July 2020 - 09:05

Shkruan: Riza Smaka

“Disponimi , qëndrimi dhe pikëpamja e shumicës së qytetarëve të Kosovës ishte, është dhe kurdoherë do të jetë dhe mbetët për t’i sanksionuar rigorozisht juridikisht, politikisht e moralisht të gjithë kryesit e krimeve barbare, kundërnjerëzore të bëra veçanërisht gjatë periudhës 1997-9 , kryesisht, kundër shqiptarëve civilë të të gjitha moshave dhe gjinive. Së andejmi, del se ,Rezoluta është një dokument juridik më i zbehtë se sa opinioni publik i gjithëmbarshëm i cili nga viti 1999 e këtej ka kërkuar dhe kërkon me të drejtë që autoritetet shtetërore e politike të Kosovës të ndërmerrnin e të ndërmarrin akte dhe veprime konkrete për dënimin e kryesve të barbarizmave të papara në dëmin e popullit shumicë në Kosovë”.

-Rezoluta-

Ditë më parë, Kuvendi i Republikës së Kosovës ,miratoi Rezolutën për unitetin politik e qytetar në mbrojtjen e vlerave të popullit të Kosovës ( Rezoluta) duke i radhitur dhjetë çështje politike të ndjeshme.

Rezoluta, në situata të caktuara,aplikohet në fushën e gjeografisë, matematikës ,logjikës por edhe të drejtësisë - jurisprudencës.

Rezoluta është konkludim, vendim apo qëndrim shkrimor i një organi kolegjial , sikundër mund të jetë kuvendi , me të cilën shprehet disponimi apo mendimi i pjesëmarrëseve që e kanë votuar.

Pikërisht ,në këtë drejtim, autoritetet pushtetare e politike të Kosovës , kanë dështuar keq. Ndaj , autoriteteve pushtetare e politike të vendit tonë, Rezoluta , eventualisht do të mund të ju shërbente për tentativë të justifikimit të dështimeve të tyre ,në radhë të parë, të mos ndërmarrjes së procedurave juridike – penale e civile kundër militarëve e paramilitarëve serb për dënime meritore të kryesve të krimeve e masakrimeve të civilëve të paarmatosur si dhe për reimbursime të dëmeve morale e materiale të tyre. Tek e fundit, kush do ta implementonte Rezolutën pos autoriteteve pushtetare e politike të Kosovës e ato kanë mund dhe mundën si dhe ka qenë dashtë dhe do të duhej t’i aplikonin masat politike e juridike në funksion të dënimeve juridike , politike e morale të kryesve të krimeve si dhe të reimbursimeve të dëmeve morale e materiale të qindra mia qytetarëve kosovarë të pambrojtur dhe të pafajshëm.

Ndryshe, jo vetëm autoritetet pushtetar e politike të Republikës së Kosovës, por, as vetë Kuvendi i Republikës së Kosovës , kanë prirje dhe eksperiencë negative referuar rezolutave të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Konkretisht, me Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës nr. 21- 178 dt. 29. 06. 2015, ka qenë kërkuar nga ish Qeveria e administruar nga z. Isë Mustafa dhe nga ish Komisioni për Shënjimin e Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror të drejtuar nga z. Murat Meha për të bërë demarkacionin – shënjimin e jo redelimitacionin - ricaktimin e Kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi gjatë linjës administrative Çakorr – Hajlë – Kullë e Zhlepit, Mirëpo ,sikundër Komisioni, Qeveria por edhe vetë Kuvendi i RK-së , në datën 21 mars 2017 e kanë pas shpërfillur me arrogancë e nonshalancë tekno burokratike Rezolutën e sipërthënë ashtu që në d e kanë pas ratifikuar , jo demarkacionin e kufirit administrativ ekzistues e të pakontestuar por redelimitacionin – ricaktimin e gabuar e të dëmshëm të Kufirit kosovar – malazez në dëmin e integritetit territorial të Kosovës për hiq më pak së për mbi 8000 hektarë –siç!

-Memorandumi-

Në rastin konkret ka qenë dashtë qe në vend të Rezolutës të miratohej Memorandum i përgatitur më seriozisht, më thuktë , më qartë me një sistematizim tematik organik e kronologjik dhe me postulate të mbështetura në prova , të adresuara në fusnota ( jo të Editë Tahirit!!!) , në referenca si dhe të dhëna bibliografike përkatëse, ndryshe, të bollshme! Memorandumi , është dokument që shënon ngjarje , marrëveshje ose pikëpamje të caktuar. Në rastin konkret, Memorandumi do t’u referohej ngjarjeve dramatike në Kosovë ,kryesisht, gjatë periudhës1997-99 , gjatë së cilës, nga autoritetet ushtarake e policore serbe, të inspiruara dhe të drejtuara nga provenienca politike, religjioze, pushtetare e intelektuale serbe,kanë pas kryer krime lufte të natyrës dhe karakterit gjenocidist antishqiptarë. Në kontekstin politik e diplomatik, memorandumi ,konsiston në një tekst të kondensuar, të sistemuar organikisht , të thuktë, të qartë e të argumentuar referuar ngjarjes , situatës apo çështjes konkrete të adresuar opinionit apo institucioneve (ndër)kombëtare. Memorandumi, praktikohet t’i bashkëngjitet notës diplomatike të caktuar. Esenca e memorandumit , po ashtu, konsiston në theksimin e çështjes, ngjarjes, situatës të definuar, të rëndësisë së veçantë , për tu mbajtur mend, për tu përkujtuar, për tu memoruar.

Rezoluta përkatësisht memorandumi për implementim e jo për Ad Acta

Po të ishte përgatitur teksti i Rezolutës në mënyrën e sipër theksuar , po të ishte emërtuar memorandum e jo rezolutë dhe ,autoritetet pushtetare e politike të vendit po të kishin vepruar dhe të vijonin të vepronin konkretisht dhe sistematikisht kundër kryesve të krimeve të luftës në Kosovë veçanërisht gjatë periudhës 1997 – 99 as më shumë as më pak se sa që ju lejon ligji në fuqi, kuptimi i atij dokumentit do të ishte përmbajtjesor , i qëlluar dhe i dobishëm politikisht, diplomatikisht, juridikisht dhe pragmatikisht. Ndryshe , hiq më vonë se sa një ditë pas miratimit të Rezolutës ,një nga kryetarët e një subjekti politik parlamentar, me pompozitet e publikisht deklaroi se ,Serbia ,do të duhej të kërkonte falje për krimet e kryera në Kosovë. Vallë, Rezoluta do të përfillej në atë mënyrë! Kurrsesi jo ! Shteti serb, nëpërmjet institucioneve politike,religjioze, shtetërore, intelektuale ishte katalizator dhe ekzekutor i krimeve të luftës deri në përmase gjenocidiste kundër civilëve shqiptarë të të gjitha moshave dhe gjinive veçanërisht gjatë periudhës 1977 -99 ,ndaj , jo “ kërkimi ceremonial apo ritual i faljes”, por, aplikimi konsekuent dhe konsistent i përgjegjësisë juridike – penale e civile kundër kryesve të krimeve të luftës ,do të ishte zgjidhja, për të cilën , përfaqësuesit politikë e pushtetarë të Kosovës, një zërit dhe energjikisht do të duhej të angazhoheshin dhe të vepronin!”.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".