Nuk mund të kenë rezultat bisedimet Kosovë-Serbi, pa pjesëmarrjen e SHBA-ve

Nuk mund të kenë rezultat bisedimet Kosovë-Serbi, pa pjesëmarrjen e SHBA-ve
Nuk mund të kenë rezultat bisedimet Kosovë-Serbi, pa pjesëmarrjen e SHBA-ve

Skender Kapiti

  • 31 May 2021 - 18:42

Shkruan: ANALISTI- Skënder Kapiti

Nuk mund të kenë rezultat bisedimet Kosovë-Serbi pa pjesëmarrjen e SHBA-ve , sepse po të mos ishin SHBA-të dhe ndërhyrja vendimtare e tyre,  Kosova do të ishte akoma pa shtet dhe  pa pavarësi. Këtë besoj se e dinë  të gjithë shqiptarët si edhe Albin KURTI. Pa ndihmën e SHBA-ve nuk do të ketë njohje të reja,  dhe këtë e tregoi edhe rasti i fundit i njohjes së Kosovës nga Izraeli, pasi jo vetëm  se nuk kishte njohje të reja, por përkundrazi pati tërheqje njohjesh prej disa shteteve. Duket se së shpejti po nga përkushtimi i SHBA-ve, Kosovën pritet që ta njohë edhe Greqia. SHBA është për  Shqipërinë e Kosovën edhe mbështetësi kryesor  për integrimin e tyre në BE.  

Dihet se që pas Luftës së Dytë Botërore Evropa nuk mundi të bëjë zgjidhje në kontinentin e vjetër pa ndihmën e SHBA-ve, madje pa SHBA edhe vetë Evropa nuk e ka sigurinë të garantuar përballë  kërcënimit, dje nga ish  Bashkimi Sovjetik dhe sot nga Rusia. Nisur nga ky këndvështrim ashtu sikurse pa ndërhyrjen e NATO-s  nën drejtimin e SHBA -ve nuk do të ishe bërë e mundur ndalja e gjenocidit serb dhe as çlirimi e as pavarësimi i Kosovës, ashtu sikurse pa ndihmën e SHBA-ve Kosova nuk do ta kishte arritur kurrë këtë numër njohjesh nga shtete e tjera, ashtu sikurse pa SHBA-të nuk është arritur asgjë në marrëveshjet Kosovë-Serbi. BE, pra Evropa nuk është në gjendje për të zgjidhur probleme ndërkombëtare e madje as ato brenda hapësirës së kontinentit të saj, përveçse që është ironik fakti që vetëm qytetarët e Kosovës akoma nuk kanë lirinë për të lëvizur pa viza në BE.

Te Evropa nuk është e vështirë për ta konstatuar se ajo si ndërmjetësuese në dialogun Kosovë-Serbi ka mbajtur anën e Serbisë, dhe asaj edhe nuk i kihet shumë besë, pasi gjithmonë zgjidhjet që ka dhënë dhe ofruar Evropa  në Ballkan kanë qenë kundër dhe në dëm të shqiptarëve. Dhe logjikshëm vjen edhe nevoja që për bisedimet Kosovë-Serbi të jenë SHBA si pjesëmarrëse në dialog gjë e cila është në favor të Kosovës dhe për të cilën janë të gjithë shqiptarët, pasi shqiptarët kanë besim te Amerika si aleate e madhe dhe besnike e shqiptarëve.  E ndoshta për këtë, po që se SHBA marrin pjesë në këtë dialog, Serbia mund të kërkojë që të përfshihet edhe Rusia. Mirëpo këtë nuk mund dhe nuk duhet  ta pranojë BE-ja, pasi nuk është koha e viteve 1999 e Grupit të Kontaktit dhe as e Rambujesë, sepse  sot kemi një realitet tjetër, kur Kosova është tashmë shtet i pavarur, dhe në bisedimet Kosovë – Serbi ndërmjetës duhet të jenë BE, pasi në BE kërkojnë që të anëtarësohen edhe Kosova, edhe Serbia. Në këtë dialog duhet të përfshihen SHBA-të që të arrihet marrëveshje Kosovë-Serbi, pasi aleate e BE-së janë SHBA-të dhe jo Rusia e as Kina. Serbia është e detyruar t’i nënshtrohet detyrimisht dhe ta pranojë si pjesëmarrëse në dialog SHBA-të,  pasi koha nuk i premton dhe nuk është më me  Serbinë që të sillet ndryshe.

 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".