Nuk ka dialog pa kushte me Serbinë,  njohja reciproke dhe krimet e luftës  në krye të platformës

Nuk ka dialog pa kushte me Serbinë,  njohja reciproke dhe krimet e luftës  në krye të platformës

Arsim Haziri

  • 12 January 2022 - 17:24

Shkruan:ANALISTI- Arsim Aziri 

 

Është koha që  fatura e kostos së të gjitha krimeve që i ka bërë Serbia të nxirret në tavolinë sepse deri më tani është heshtur, kurse  vetë  Serbia   në cilësinë kryesit të krimeve  e ka luajtur me mjeshtri  rolin e  viktimës, duke avancuar deri në atë masë sa që   me kompromiset e  delegacionit shtetëror të Kosovës, Serbisë i janë hap dyert drejtë BE-së, kurse  shteti i Kosovës nuk ka përfituar asgjë,  përveç  atyre mëditjeve e shëtitjeve të lloj lloj matrapazëve  që kanë përfituar për xhepin e vetë  dhe  e kanë dëmtuar interesin e shtetit në  çdo aspekt.

Vazhdimi i dialogut me Serbinë, për të cilin Kosova  nuk ka hezituar asnjëherë që të zhvillohet dhe avancohet deri në normalizim të raporteve mes të dy vendeve, me njohje reciproke, është një proces në interes të të dyja vendeve. Përndryshe  dialogu me Serbinë, me përpjekje për imponim të temave dhe presion për lëshime të njëanshme  nga ana e delegacionit të shtetit tonë  nuk i duhet Kosovës dhe nuk  guxojmë të rrëshqasim në një grackë të tillë eventuale. Nëse pala ndërmjetësuese nuk arrin ta bindë Serbinë për qasje konstruktive të përfitimit të dyanshëm nga ky proces, atëherë Qeveria e Kosovës duhet të tregohet e kujdesshme dhe e matur në agjendën e temave që mundë të shtrohen, sepse

Kosova asgjë nuk përfiton në dialogun me Serbinë, nëse  nuk e pranon realitetin e krijuar pala serbe, kurse nga lëshimet që mundë ti bëhen Serbisë ne vetëm do të thellojmë akoma më shumë hendekun e  humbjeve, nuk përfitojmë asgjë me  kompromise, ashtu  siç edhe nuk ka përfituar deri më tani me ato lëshime e kompromise që kanë bërë  qeveritarë e mandateve të kaluara në këtë proces. Qytetarët janë mashtruar vazhdimisht nga pushtetarët që ishin të shantazhuar dhe  pranonin marrëveshje të dëmshme e të dhimbshme në kurriz të Kosovës, kurse Serbia nuk i zbatonte asnjë  nga ato që i deklaronte, edhe pse  realisht asnjë nga marrëveshjet e kaluara e të nënshkruara nuk kanë qenë  në ndonjë nuancë  rënduese për palën serbe, por vetëm do të ishin kontribut për krijimin e  frymës së mirëbesimit dhe bashkëpunimit të sinqertë  reciprok. Kështu që  deri më tani për gjithçka që pala Kosovare është pajtuar dhe ka nënshkruar, asgjë nuk ka përfituar, madje as nga agjenda evropiane në procesin e përafrimit dhe të integrimeve evropiane ,ku po mbahet e izoluar nga liberalizimi i vizave si i  vetmi shtet pa liri të lëvizjes në kontinentin evropian , po ashtu akoma jemi vend  i diferencuar dhe anashkaluar dhe nga investimet evropiane, që do të ishin me interes për të ndihmuar zhvillimin, punësimin dhe integrimin. Kur kemi parasysh të gjitha këto çështje të hapura, të mbetura  në erë, me të drejtë duhet ta pyesim veten se pse  atëherë  duhet të dialogohet me Serbinë dhe ti nënshtrohemi gjithë  këtij presion për një Asociacion që nuk është askund në harmoni me ligjet e shtetit të Kosovën, është konstatuar antikushtetues dhe vetëm e  bënë të brishtë, rrezikon në staza afatgjata  stabilitetin dhe integritetin e shtetit. Kosova nuk e ka asnjë borxh edhe anjë interes  që të futet në dialog dhe të bëjë kompromise  me interesin e vetë shtetëror  sa  për t'ia rregulluar Serbisë imazhin, se kinse  po dialogon me një shtet që është shteti paqësor dhe dëshiron qasje bashkëpunuese në rajon, dhe me këtë  shtetit serb  të krijohet aso klime politike  në BE sa  për t'i mundësuar përshpejtimin në anëtarësimin e saj në BE, madje edhe  duke kontribuar kështu indirekt,  për të shfajësuar nga gjenocidi i ushtruar ndaj popujve të rajonit ballkanik të shkaktuara nga vetë Serbia, gjatë luftërave të viteve 90 që sporja e fundit e krimit dhe shkatërrimit , gjenocidit, u përmbyll me luftën në Kosovë e cila  e mori epilogun falë  qëndresës  së paluhatshme të popullit të Kosovës dhe ndihmës së sinqertë të miqve ndërkombëtar. Kosova nuk guxon të futet në ato pazare të rrezikshme me Serbinë  për t'i mundësuar ndarjen e veriut të Kosovës, kinse në emër të  pajtimit dhe  stabilitetit të qëndrueshëm, një Project i korrigjimit të kufijve që e kishin planifikuar dhe vizatuar ish kreatorët e tij, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiqi. Kusht mbi kushte, për marrëveshje në interesin reciprok mes të dy vendeve në dialogun që prite të vazhdohet në këtë vit vijues, duhet të  jenë  të gjitha pasojat e luftës. Nuk guxojmë ti harrojmë dëmet që Serbia  i janë bërë Kosovës gjatë okupimit të saj dhe luftës së shkaktuar nga Serbia në Kosovë. Krimet në njerëz, dëmet  material e financiare, në pronësi publike dhe private. Para së gjithash  nuk mundë të dialogohet me Serbinë duke

harruar bllokimet dhe obstruksionet që i janë bërë dhe vazhdohet ti bëhen, pavarësisë dhe shtet ndërtimit të Kosovës në rrafshin politik  ndërkombëtar, atë  diplomatik. Dialogu me Serbinë duhet dhe mundë të ketë kuptim vetëm mbi baza tërësisht të barabarta të qasjes nga vetë ndërmjetësuesit që në këtë rast rolin  kryesor, atë të timonierit e ka BE-ja. Prandaj Spektri politik Kosovar duhet të jetë unik dhe të deklarohet se  nuk ka asnjë arsye pse të dialogohet me Serbinë, vetëm për dëshirën e BE që  akoma  në një  masë po i mban anën e Serbisë në dëm të pavarësisë dhe funksionalitetit të shtetësisë së Kosovës, dhe nuk po pozicionohet në asnjë çështje për ta mbështetur qartë dhe  duke i dhënë mesazhin e qartë Serbisë  se ku është edhe interesi i Kosovës në këtë dialog.  Qeveria e këtij mandati të ri ndodhet para një akti të rëndësishme historik të  kujdesit dhe mos rrëshqitjes në gabimet që i kanë bërë   negociatorët e mandateve të kaluara, sepse që nga fillimi i dialogut, delegacioni ynë më tepër ka shkuar në Bruksel me agjendë ad hok të improvizuar, të  përcaktuar nga  të tjerët, vetëm sa për mëditje e për foto para medieve , se sa qe kanë pasur ndonjë platformë të mirëfilltë e të përgatitur mirë për interesin tonë shtetëror, që do të ishte platformë e qëndrueshme dhe e pa ndryshueshme  në kohë, pavarësisht kush do të vinte ndërkohë në pushtet me ndryshimet elektorale që ndodhin në shtet. Është koha që  fatura e kostos së të gjitha krimeve që i ka bërë Serbia të nxirret në tavolinë sepse deri më tani është heshtur, kurse  vetë  Serbia   në cilësinë kryesit të krimeve e ka luajtur me mjeshtri  rolin e  viktimës, duke avancuar deri në atë masë sa që   me kompromiset e  delegacionit shtetëror të Kosovës, Serbisë i janë hap dyert drejtë BE-së, kurse  shteti i Kosovës nuk ka përfituar asgjë,  përveç  atyre mëditjeve e shëtitjeve të lloj lloj matrapazëve  që kanë përfituar për xhepin e vetë  dhe  e kanë dëmtuar interesin e shtetit në  çdo aspekt.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".