Forcimi i partneritetit të fuqishëm mes Kosovës dhe SHBA-ve në mandatin e Qeverisë, po i çmend ish-pushtetarët e korruptuar!

Forcimi i partneritetit të fuqishëm mes Kosovës  dhe SHBA-ve në mandatin e Qeverisë, po i çmend ish-pushtetarët e korruptuar!

Gani Qarri

  • 16 January 2022 - 16:07

Shkruan: ANALISTI –Gani Qarri

Letra e Sekretarit shtetëror të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony J. Blinken, dërguar kryeministrit Kurti, është edhe një tjetër demant i fuqishëm i paragjykimeve dhe shpifjeve të ish-pushtetarëve të korruptuar e të tej-inkriminuar, për kinse anti-amerikanizëm dhe prishjen e raporteve të Kosovës me SHBA-të nga politika e Qeverisë Kurti! Për aq më tepër, Sekretari Blinken ka deklaruar publikisht, se marrëdhënia ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës është e rrënjosur thellë, në vlerat e përbashkëta demokratike, si dhe në zotimin për Kosovën e pavarur dhe sovrane.

Vetë koha po e dëshmon më së miri, realitetin e fuqizimit të rolit amerikan hap pas hapi, në marrëdhëniet me shtetin dhe Qeverinë e re të Kosovës, përveç tjerash edhe në çështje të interesit krucial strategjik, që nuk ishte në asnjë nga mandatet e kaluara të qeverisjeve të inkriminuara e pa parime dhe pa qëndrime shtet formuese, të udhëhequra nga Thaçi, Mustafa & Co.

Pikërisht koha kur është dërguar kjo letër me përmbajtjen që kryesisht merret me temat e jashtme dhe dialogun Kosovë-Serbi, ka qëllim të qartë që edhe dialogun për ndryshim nga mënyra e deritanishme diktuese e Aleksandër Vuçiqit, përfundimisht ta fokusojë në njohje të ndërsjellë, kurse lista e temave që janë përmendur, e bëjnë atë platformë të politikës së jashtme amerikane për vitin 2022!

Prandaj kjo sinjalizon edhe marrjen e rolit prijës të SHBA-ve në zgjidhjen e kësaj nyje, e cila njëherit vije edhe si ftesë për spektrin politik të Kosovës që në këtë plan strategjik ti lënë anash lakmitë personale e grupore dhe interesat puro politike e kriminale për pushtet dhe të bashkëveprojnë seriozisht në mbështetje të qeverisë për një platformë unike të interesit për shtetin e Kosovës.  

Kështu që, qysh në fillim të letrës së Sekretarit Blinken, shpaloset agjenda e SHBA-së në raport me Kosovën, akt i cili pritet të zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me Ambasadorin Jeffrey Hovenier dhe të dërguarin e posaçëm të SHBA-ve Gabriel Escobar, prandaj, duhet të merret shumë seriozisht nga të gjitha partitë, porosia e z.Blinken: “Ju lutemi të punoni ngushtë me Ambasadorin Hovenier dhe Përfaqësuesin Special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sepse të dy janë plotësisht të autorizuar për t’i adresuar këto çështje me ju!" Të dy këta janë të përgatitur për t’i diskutuar specifikat me ekipin tuaj, dhe ne jemi të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën për t’i arritur qëllimet e përbashkëta”, ka përmbyllur letrën dërguar kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Sekretari i shtetit i SHBA-ve, z. Antony S. Blinken.

Adresimi i tillë, nga administrate amerikane ndaj Qeverisë Kurti, është një mundësi e re, jo vetëm e veçantë, por ndoshta edhe e Artë për Kosovën, që gjatë administratës së Presidentit Joe Biden të forcohet edhe më tepër partneriteti, të hapen të gjitha temat që forcojnë sovranitetin dhe garantojnë integritetin e shtetit të pavarur të Kosovës.

Prandaj as që guxon më të humbet ky super-shans, sikur që është vepruar në të kaluarën nga partitë e inkriminuara, për rreth 14 vite pas pavarësisë, duke i humbur të gjitha mundësitë e ofruara, për shkak të jo seriozitetit, mungesës së guximit për veprim, lidhjeve që kanë mbajtur me bandat kriminale serbe në Veri si dhe bashkëpunimin e pareshtur me krimin e organizuar të udhëhequr nga Zvonko Veselinoviq e Milan Radoiçiq, duke favorizuar interesat personale dhe lënë anash e shkelur me të dy këmbët mbi interesat e shtetit dhe ato nacionale nga Thaçi & Co.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".