Rikujtim për aferën VETERANËT: Letër publike për Komisionin për Vlerësimin e aplikacioneve për veteranë, invalid dhe dëshmorë të Luftës

Rikujtim për aferën VETERANËT: Letër publike për Komisionin për Vlerësimin e aplikacioneve për veteranë, invalid dhe dëshmorë të Luftës
Rikujtim për aferën VETERANËT: Letër publike për Komisionin për Vlerësimin e aplikacioneve për veteranë, invalid dhe dëshmorë të Luftës

Hasan Preteni

  • 31 March 2022 - 14:06

Shkruan: Ish eprori i lartë i UCK-s -Hasan Preteni

Të nderuar anëtarë të Komisionit për Vlerësimin e aplikacioneve për veteranë, invalid dhe dëshmorë të luftës. Abuzimet e fuqishme gjatë gjithë procesit të vlerësimit të listave të pjestarëve të UÇK-së dhe stërzgjatja e afateve për formimin e tyre më shumë se sa vetë lufta janë argumente te mjaftueshme që i tërë ky proces të anulohet dhe të kthehen si valide reale dhe të drejta listat që janë dorëzuar në vitet 1999/2000.Pse? Sepse vet formimi i këtij komisioni 15 vjet pas përfundimit të luftës në Kosove ishte jo mirë i menduar, i pa diskutuar publikisht dhe i pa bazuar në nevojat reale.

Sepse në formimin e listave në vitin 1999/2000 është shpenzuar shumë kohë në përpilimin e listave të pjesëtarëve të UÇK-së, të dëshmorëve të Kombit dhe invalidëve të luftës. Në përpilimin e listave morën pjesë strukturat e organizatave të dala nga lufta kurse barra kryesore ishte tek pjesëtarët e TMK-së, të gjithë komandantët e gjallë u rreshtuan aty, ishin Sektori i Personelit dhe Sektori për Marrëdhënie Civilo Ushtarake përgjegjëse për këtë. Të gjithë këta regjistra janë dërguar disa herë në Shtabin e Përgjithshme të TMK-së dhe të njëjtit janë dërguar edhe në Shoqatat e dala nga lufta.

Ishte Zona Operative e Shalës ajo e cila më shumë kujdes dhe azhuritet i ka përcjell të gjitha këto. Në fakt nuk kemi pasur shume probleme në përpilimin e atyre listave. U bë një punë me njerëz të sinqertë, të përkushtuar dhe me pak materialista, specifikisht ishte Brigada 141 ajo qe këto probleme gati që nuk i pati fare. Të gjithë ata qe donin te siguronin dëshmi për statusin e tyre „ushtarakë” siguronin një vërtetim të tillë, ne zyrat e TMK-se. Kanë qenë rreth 70 te plagosur, rreth 45 Dëshmor edhe numri i veteranëve ishte real. Por çka ndodhi në vazhdim... gjithçka mori rrugë tjetër.

Listat e përpiluara në mënyrën më të ndershme 14 vjet radhazi ndryshonin në baza ditore. Zgjateshin dhe ndryshonin në bazë të raporteve te cilat krijoheshin në mes bartësve kryesor të luftës së UÇK-së. U krijua një amulli e pa shembull, “njofësit dhe miqësitë e reja”, - ndejat nëpër kafene, lidhjet farefisnore, grupet e interesit, grupe joformale dhe shume grupe tjera u bënë bashkë. Të gjitha këto raporte ndikuan që shumë qytetarë pa kurrfarë kontributi ose me kontribut minore po edhe me dhurimin e një thesi patate të hynë në listat e pjesëtarëve ose te kontribuuesve të UÇK-së.

Nuk u ndalen me kaq, u hapen dyert, u “liberalizua” pranimi, kush kënd e gjeti ne mesin e eproreve të TMK-së hyri në listë. Lista ndryshonte në bazë të agjendës politike të Institucioneve shtetërore. Kur paralajmëroheshin nxjerrja e ligjeve apo mundësit për përfitime materiale, radhët e aplikuesve për të qenë në këto lista ishte e jashtëzakonshme. Humbën kriteret dhe bënte kush çka donte. Që nga 6 maji i vitit 2006 kur gjithashtu për arsye të sjelljeve korruptive të individëve të caktuar u detyrova te largohem nga TMK-ja, informatat për keqpërdorimin e pozitës zyrtare te pjesëtarëve te TMK-së në pranimin e statusit te veteranit, invalidit dhe dëshmorit nuk ishin të pakta. Informatat kishin te bënin vetëm me Brigadën 141 te Zonës Operative të Shalës. Për shume emra të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve kuptoja nga mediat apo nga informatat e ish bashkëluftëtarëve të mi të dëshpëruar. Futja në listën e invalidëve ishte shume joshëse.

Mjaftonte që të gjendet „një mik” nga strukturat e ish udhëheqësve te UÇK-së e pastaj me mjek dhe komisioni të ndryshme shkonte më lehtë. Ne mënyrën me te keqe të mundshme filloi faza e aplikimit për të qenë „përfitues” nga Ligji për Veteranët e Luftës së UÇK-së, përmes kritereve të paqarta konkurrohej me të madhe për të përfituar sado pak në aspektin material dhe statusor. Në vazhdim, do të ju referohem vetëm pjesës se trajtimit te kërkesave që kane te bëjnë me statusin e ish pjesëtareve të Brigadës 141 „Mehe Uka ” ZO e Shalës, ku kamë marrë pjesë në tri takime. E gjithë kjo punë vlerësoj se ka qenë e dëmshme dhe aspak e nevojshme ku rezultati final nuk është real pasi që: - në mënyrë enorme u rritë numri i pjesëtarëve të luftës; - u rritë numri i invalidëve në mënyrë të pajustifikueshme, (në këto takime e kuptova se shumica prej aplikuesve veç ishin duke përfituar pensione invalidor, shumica në mënyrë të paligjshme); - vetëm një anëtar i komandës se Brigadës nuk hyri ne listën e invalidëve, vendosen për vete-veten, e gjetën një konsensus duke i krijuar njëri tjetrit favore; - në listën për tu trajtuar për shkallë të invaliditetit hynë edhe ata që gjatë kohës së luftës e kishin pasur vetëm një kontroll mjekësore edhe atë për dhembje koke, „reum„ apo diçka të ngjashme. - statusin e Invalidit të luftës së UÇK-së e mori edhe një eprorë i lartë i cili nuk mori „plagë”, në Kosovë por kinse qenka plagosur në një luftë tjetër jashtë trojeve etnike. - u fut në listë për pension edhe personi që në periudhën e luftës në kohën kur pretendonte se ka qenë i sëmurë, ka qenë drejtpërdrejtë nën komandën time. Në fakt, lobuesit në favor të tij ishin më të fuqishëm se faktet e mia. - nga të gjithë pjesëtarët e ish Brigadës 141 Mehe Uka, nuk „përfituan” vetëm ushtarët-luftëtarët e Batalionit të 3-të, listat e ushtarëve, lista e invalidëve dhe lista e dëshmorëve është ajo e njëjta e cila ishte menjëherë pas përfundimit të luftës.

Nuk përjashtoi mundësin që të ketë ndërhyrje nga jashtë, nga te fuqishmit e pasluftës por nëse ka ndodhur një gjë e tillë, kjo ka ndodhur pa dijen e komandantit të Batalionit. Në bazë të të gjitha këtyre fakteve konsiderojë se i gjithë procesi i formimit të listave ka qenë i panevojshëm, i kushtueshëm, i dëmshëm dhe mbi të gjitha jo real. Si rrjedhojë konsiderojë se në momentin e publikimit të këtyre listave do të ketë pakënaqësi shumë të mëdha të atyre që vërtet kanë dhënë kontributin e tyre patriotik.(Ky qëndrim është bazuar në përvojën disa ditore në punën e këtyre komisioneve dhe paraqet opinionin personal të ish Komandantit të Batalionit të tretë, Brigada 141 Mehe Uka, Zona Operative e Shalës. Çdo ndërlidhje e këtij opinioni me detyrën që e ushtroj tani është i pa bazë). 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".