Republika e pavarur e Kosovës apo bashkimi i Kosovës me Shqipërinë?

Republika e pavarur e Kosovës apo bashkimi i Kosovës me Shqipërinë?
Republika e pavarur e Kosovës apo bashkimi i Kosovës me Shqipërinë?

Prof. Dr. Mehdi Hyseni

  • 06 April 2022 - 16:58

(KAPITULLI  X )

Shkruan:Prof. Dr. Mehdi Hyseni

Shtrohet pyetja: Cila nga këto dy opsione do të kishte qenë më e kapshme për momentin historik dhe politik për ta kapitalizuar pavarësimin dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë (1989-1999) ?

Natyrisht se shpallja e Republikës së Kosovës ose shpallja e Bashkimit të Kosovës me Shqipërinë ishte kërkesë e imponuar dhe e domosdoshme, nga që Kosova në fillim të vitit 1989 përfundoi nën ripushtimin gjenocidal të Serbisë së Slobodan Milosheviqit.

Mirëpo, edhe sot, edhe nesër do shtrohet  pyetja, a është bërë shpallja e Republikës së Kosovës (Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 dhe Republika e Kaçanikut 7 shtator 1990) pas arritjes së ndonjë Marrëveshjeje paraprake me Tiranën zyrtare dhe, pas lobimit paraprak diplomatik nëpër metropolelet e shteteve të ndryshme të Evropës (ashtu siç veproi dikur   kryediplomati i shquar shqiptar, Ismail Qemali[1] duke i testuar kancelaritë diplomatike të Evropës derisa mori pëlqimin dhe mbështetjen e Austro-Hungarisë (në shkurt dhe në fillim të nëntorit 1912), që të shpallte Shqipërinë e pavarur më 28 Nëntor 1912), edhe më gjerë, duke qenë se Shqipëria si anëtare e OKB-së dhe e OSBE-së, do të mund të luante  një rol të madh në fushatën e lobimit ndërkombëtar për të fituar ndonjë garanci të ndonjë shteti për mbështetjen e pavarësisë ose të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. 

Kjo do të kishte pasur një rëndësi të madhe për  ndërkombëtarizimin e zgjidhjes së çështjes koloniale të Kosovës, sepse në këtë strategji të diplomacisë preventive, do të involvoheshin shtetet e mëdha të Evropës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat, pa dyshim, do të parandalonin dhe pengonin agresionin dhe gjenocidin e Serbisë së Slobodan Milosheviqit në Kosovë (1989-1999).

Ndërkaq, Prishtina zyrtare (ndoshta) do të mund t’ia impononte Shqipërisë involvimin në zgjidhjen e problemit kolonial të Kosovës, sikur liderët e saj drejtues të kishin  shpallur Bashkimin e Kosovës me  Shqipërinë, jo Republikën e Kosovës. Kjo do kishte qenë forma e vetme e mundshme që Shqipërisë t’i imponohej mbrojtja e 2 milionë e gjysmë shqiptarëve nga gjenocidi serb dhe, kësisoj, të arrihej bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.

Gjithashtu, një angazhim i tillë Tiranës zyrtare, do t’i imponohej sikur kryetari Ibrahim Rugova të kishte përmbushur obligimin e tij kushtetues, të vihej në ballë të UÇK-së, pas daljes së saj  publikisht në skenë, më 27 Nëntor 1997 në fshatin Llaushë të Drenicës.

Mirëpo, me që edhe kjo nuk ndodhi, duke qenë se Rugova shkeli Nenin 108 të Kushtetutës së Republikës së Kaçanikut, në të njëjtën kohë (de fakto) nënshkruan kapitullimin e tyre politik, diplomatik dhe ushtarak edhe Prishtina zyrtare, edhe Tirana zyrtare. Kjo ishte fatkeqësia e përbashkët, që goditi Kosovën ngase Shqipëria si shtet nuk ndërhyri ushtarakisht për ta mbrojtur Kosovën nga terrori dhe nga gjenocidi i Serbisë agresore (1989-1999).

Ky gabim politik, Kosovës i kushtoi shumë shtrenjtë që shpalli Republikën (të cilën nuk e njohu dhe, nuk e mbrojti asnjë shtet i Evropës e as i botës), sepse ngeli e izoluar dhe e pambrojtur ushtarakisht edhe nga Shqipëria si shtet amë, edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Si rrjedhim, një kapitullim i përbashkët politiko-diplomatik dhe ushtarak 10-vjeçar (1989-1999) nxori në skenë grupet e para të armatosura ilegale, të cilat ishin celulat e para të formimit të UÇK-së, siç ishin ato në Drenicë me Adem Jasharin në krye (1991);  “Shqiponjat” e Ilir Konushefcit në Llap e Gallap (1992) dhe njësiti gueril “Rexhep Mala” i LKÇK-së në Prishtinë (1993) me Agron Rrahmanin në krye, nga të cilët, siç shprehet autori Salih Salihu në komentin e tij me titull “Ata nuk e ndalën luftën për liri”, “Agroni ishte më i zëshmi për bashkimin dhe për koordinimin e LKÇK-së dhe të UÇK-së. Ai ra heroikisht në Lagjen e Muhaxherëve të Prishtinës, më 12 maj 1998, duke i lënë të vrarë policët e KOS-it.  Agroni së bashku me shokun e tij të pandashëm, Bahri Fazliun dhe Ilir Konushefcin ishin betuar se do ta luftonin armikun dhe tradhtarët e vendit deri në çlirimin përfundimtar të trojeve shqiptare dhe të bashkimit të tyre  me shtetin amë-Shqipërinë… (Mirëpo, të tre këta heronj vriten nga armiku i përbashkët çetniko-serb dhe serbofil, M.H.). Bahri Fazliu vritet më 7 maj 1998 në kufirin shqiptar-shqiptar në Vuthaj, pasi që vrau një ushtar dhe një polic. Ilir Konushefci më 9 maj 1998 në Tropojë. Ndërkaq, Agron Rrahmani u vra më 12 maj 1998 në Prishtinë.”[2]Mirëpo, edhe me daljen publike në skenën politiko-ushtarake të UÇK-së (27 Nëntor 1997 në fshatin Llaushë të Drenicës), liderët e Tiranës dhe të Prishtinës bëjnë të njëjtat gabime paraprake  dhjetëvjeçare të tyre, sepse nuk qenë në gjendje të arrinin një Marrëveshje të përbashkët, që grupet e armatosura ilegale të UÇK-së, të viheshin nën  zinxhirin e komandës unike të Ushtrisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, jo të liheshin të vepronin si grupe guerile më vete, pa mbështetjen e faktorit politik, diplomatik dhe ushtarak të Republikës së Shqipërisë dhe pa mbështetjen e faktorit politik të Kosovës. Ky ishte një gabim fatal, sepse UÇK-ja mbeti jashtë  diplomacisë zyrtare të Tiranës dhe të Prishtinës. Një margjinalizim dhe izolim i tillë i UÇK-së më së shumëti i përgjigjej politikës pushtuese të Serbisë, e cila, pa asnjë pengesë, UÇK-në e shpalli dhe e luftonte si “organizatë terroriste”, edhe pse kjo kishte karakter çlirimtar kombëtar dhe antikolonial, që Kosovën ta çlironte nga Serbia terroriste, kolonialiste, fashiste dhe gjenocidale. Por, terroriste dhe gjenocidale ishte vetë Serbia, jo UÇK-ja, e cila në asnjë element të përmbajtjes së saj si faktor ushtarak (si palë ndërluftuese legale) nuk ishte terroriste sipas së drejtës ndërkombëtare, por e ligjshme, ngase zhvillonte luftë të drejtë, që ishte në shërbim të mbrojtjes së popullit shqiptar të Kosovës nga terrori dhe nga gjenocidi serb (1989-1999).

Përçarja e faktorit ushtarak  dhe politik në Kosovë më së shumëti u shkoi përshtati interesave polivalente të marrëdhënieve politike, diplomatike, ekonomike, tregtare dhe miqësore  të Tiranës me Beogradin, sepse Serbia u sigurua nga Shqipëria që nuk do të involvohej në luftën për ta ndihmuar UÇK-në e as për ta mbrojtur popullsinë e saj shqiptare në Kosovë!

Fatkeqësisht një gabim i tillë absurd politik dhe diplomatik i ngjashëm i Tiranës zyrtare po përsëritet edhe sot (2022), ngase kryeministri i qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama e ka siguruar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, se Shqipëria në emër të Qeverisë së Kosovës nuk do ta paraqesë  Padinë për tri (3) gjenocidet serbe ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë Etnike (1878-2022) në Asamablenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.  –Si ta  denoncojë Shqipëria gjenocidin serb në OKB-, kur Edi Rama, tanimë ka hyrë në aleancë me mikun e tij, Aleksandër Vuçiq në të ashtuquajturin “Ballkani i Hapur”. -Si rregull i pashkruar miqtë dhe aleatët nuk paditen në gjykata qoftë të brendshme a ndërkombëtare.

Pikërisht, këtu qëndron fataliteti i “filozofisë politike” të liderëve politikë të Shqipërisë (1990-2022) se nuk kanë pasur dhe, edhe sot nuk kanë kurrfarë strategjie të objektivave prioritare të zgjidhjes së çështjes koloniale shqiptare në Ballkan, duke përfshirë edhe Kosovën e pavarur. Mirëpo, ky ishte, dhe, edhe sot është një minus i madh dhe i pakorrigjueshëm politik, diplomatik dhe ushtarak, sepse   de fakto dhe de jure kjo “exit stragy “, duke injoruar  ngritjen dhe shqyrtimin e problemit kolonial të shqiptarëve në shkallë diplomatike ndërkombëtare, përligjin vetëm interesat dhe fitoren  më të madhe të Serbisë gjenocidale, sepse kjo, edhe në drejtimin e kriminelit të saj, Slobodan Milosheviq ia arriti t’i përçante forcat politike dhe ushtarake ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës (1989-1999). Rrjedhimisht, Serbisë i mbetën duart e lira që ta digjte Kosovën shqiptare për arsye se nuk e kishte mbrojtjen ushtarake të Shqipërisë, as të Evropës e as të bashkësisë ndëkombëtare (1989-1999).  Një politikë të tillë promillosheviqiane  antishqiptare, tani pas 30 vitesh, është duke e zbatuar edhe ish-bashkëpunëtori dhe ish-ministri i Informacioneve të Qeverisë së tij, Aleksandër Vuçiq (ish-sekretar i Përgjithshëm i PRS-së së Vjosilav Sheshelit), cili  për interesa nacionale dhe shtetërore hegjemoniste të Serbisë, ka përfituar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama me të cilin kanë themeluar “Ballkanin e Hapur”, që do të thotë vazhdimësinë e luftës së   Serbisë së Madhe  për sundimin dhe gllabërimin e territoreve të Shqipërisë Etnike, duke përfshirë edhe Kosovën.

Nga një padrejtësi e tillë që iu bë UÇK-së dhe popullit të pambrojtur shqiptar të Kosovës (për shkak të përçarjes së faktorit politik dhe ushtarak shqiptar, pra të marionetave në pushtet), duhet të nxjerrim mësim një herë e përgjithmonë se për pazare politike, për sëmundje karrieriste, për interesa mafioze, kriminale dhe të luftës për pushtet, të mos e mashtrojmë njëri-tjetrin, të mos e tradhtojmë njëri-tjetrin, të mos e presim në besë njëri-tjetrin, të mos e shfrytëzojmë njëri-tjetrin, të mos e vrasim njëri-tjetrin, të mos  dëmtohemi në asnjë formë, sepse kjo armiqësi u konvenon më së shumëti armiqve të brendshëm dhe të jashtëm të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike. 

[1]  Koli Xoxi, po aty. f. 254.

[2]   “Bota e Re”, 12 nëntor 1998 Prishtinë, f.18, 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".