Asociacioni i komunave me shumicë serbe të hartohet në Prishtinë dhe jo në Beograd

Asociacioni i komunave me shumicë serbe të hartohet në Prishtinë dhe jo në Beograd

Hajrullah Tërnava

  • 01 October 2022 - 17:23

Shkruan: ANALISTI: Hajrullah Tërnava

Tani kur po ndërmjetësohej bisedimet nga ndërkombëtarët mes Serbisë dhe Kosovës, e sikur po shihet, ka ardhur edhe koha për një marrëveshje përfundimtare. Tani më është e kuptueshme se gjithnjë duhet të jetë përgatitja sa më e përqendruar në mënyrë që edhe përgjigja të jetë adekuate. Kosova nuk guxon të bëjë kompromis sidomos me çështjen e Asociacionit. Duhet ta nxjerr në tavolinë propozimin e saj alternativ, të modelit evropian, pa kompetenca që i japin atributet e shtetit brenda shtetit, për tu bërë faktor i rrezikimit të sovranitetit të shtetit.

duhet të vepron pa vonesë dhe ta nxjerr propozimin e saj për Asociacionin si mundësi që në bisedime të i ofrohet Serbisë si zgjedhje e mundshme, edhe që është e pritshme se Serbia ka me kërkua pjesë territoriale nga Kosova. Nëse s’ka rrugëdalje tjetër, ata kanë me kërkua asociacionin me kompetenca të ngjashme me Srpska Republikën në Bosnjë.

Bazuar në këto pritje që janë reale, Kosova nuk duhet humbur kohë duke u vonuar Qeveria e Kosovës, duke mbetur peng me çështjen e Asociacionit, pa e bërë versionin e vetë të dokumentit për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, kuptohet pa kompetenca ekzekutive, por në përputhje me kushtetutën e Kosovës, pasi që është një obligim ndërkombëtar i trashëguar nga qeverisjet në mandatin e kaluar dhe si i tillë po kërkohet me ngulm edhe nga faktori ndërkombëtar për ti dhen epilog dialogut me Serbinë, dhe firmosje së marrëveshjes përfundimtare.

Tani më është raportuar se në Beograd, njëanshëm ka nisur të hartohet Statuti i Asociacionit i cili do të propozohet dhe bëhet objekt propozimi në tavolinën e dialogut. Raportohet se në këtë projekt është angazhuar Fondacioni gjerman “Friedrich Ebert Stiftung” (FES) dhe Instituti Evropian për Paqe (EIP) , që janë ngarkuar me barrën e hartimit të statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili më pas do të rishikohet nga OJQ-të e Kosovës dhe Serbisë dhe si i tillë do t’i prezantohet ndërmjetësit evropian, Miroslav Lajçak.

Kështu ka raportuar mediumi serb “Novosti”, i cili njihet për afërsi me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. Ky mediumi, duke cituar burimet nga qarqet diplomatike, thotë se për këtë qëllim është organizuar një takim në Beograd, në ambientet e “Aeroklub”, të martën, në të cilin morën pjesë përfaqësues të OJQ-ve të Kosovës dhe Serbisë, misione ndërkombëtare nga Kosova, si dhe diplomatë gjermanë. Atyre iu prezantua drafti i statutit të ardhshëm të Asociacionit, për të cilin mund të bënin komente dhe sugjerime. Pala serbe është përfaqësuar nga Milica Andriq Rakiq, Jovana Radosavljeviq, Aleksandër Rapajiq, si dhe Aleksandra Spremo nga Beogradi, nga JUKOM.

“Novosti” shkruan se dokumenti i përmendur nuk ka për qëllim publikimin, por për t’u bërë pjesë e procesit të negociatave pas ngritjes së kundërshtimeve, dmth. për të negociuar me Qeverinë e Kosovës dhe qeverinë serbe dhe pastaj te ndahet me një palë te tretë, por nuk është saktësuar se cila është kjo palë”. Mediumi serb pretendon se pala e tretë do të jetë Gjermania, për të cilën shkruan se është e përfshirë drejtpërdrejt në proces përmes FES-it dhe thotë se në takim u tha se Berlini zyrtar është i hapur për sugjerime. “Në bazë të draft-statutit të paraqitur, përfaqësuesit e OJQ-ve, ndër të tjera, kishin dilemë nëse Asociacioni është person juridik apo duhet të jetë organ shtetëror.

Ata shprehën frikën e tyre se serbët do të kishin edhe më pak të drejta sipas këtij drafti sesa ato që u jepen aktualisht nga Kushtetuta e Kosovës. Ata i ka shqetësuar edhe fakti se teksti thekson se gjithçka duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Gjykata Kushtetuese tashmë ka deklaruar se Asociacioni nuk është në përputhje me aktin më të lartë juridik. Më pas, kritikat e paraqitura në takim, sipas një vlerësimi objektiv, duhet të përfshihen në draftin përfundimtar të statutit të Asociacionit, i cili do të përgatitej nga “Friedrich Ebert” dhe Instituti Evropian për Paqe dhe i cili përfundimisht do t’i dërgohej Lajçakut për përdorim dhe ofertë të mëtejshme palës serbe dhe asaj shqiptare në dialog”, raporton shtypi serb.

Qeveria e Kosovës duhet të jetë më aktive dhe ti paraprinë kësaj çështje me propozim dokumentin i cili mundë dhe duhet të jetë model i barasvlershëm i zgjidhjes kushtetuese të njëjtë me Asociacionin aktual, legjitim dhe legal, i cili funksionon, koordinon lidhjet e bashkëpunimit të komunave me institucionet qendrore , për të pasur një pushtet më funksional dhe më aktiv e zhvillimor në nivelin lokal.

Edhe gatishmëria e Qeverisë me propozimet e gatshme të asociacionit me kompetenca kushtetuese që i ka të përgatitura me kohë, ndikon në efektin pozitiv të bisedimeve, e kur dihet se pala serbe e ka versionin e sajë të kërkesave që ju shkojnë për shtati sikur që i dimë deri më tani, dhe pala kosovare assesi nuk duhet të pajtohet për asociacionin me kompetenca jashtë Kushtetutës së Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".