Stop lojës së “bixhozit” nga drejtësia e korruptuar

Stop lojës së “bixhozit” nga drejtësia e korruptuar
Stop lojës së “bixhozit” nga drejtësia e korruptuar

Dardan Grapci

  • 06 February 2024 - 18:32

Shkruan:ANALISTI-Dardan Grapci

Vonesa e trajtimit të krimeve të luftës, nga institucionet e drejtësisë në Kosovë, hetimi dhe gjykimi i kryesve të veprave kriminale e gjenocidiale ndaj shqiptarëve, është dështimi më i madh i institucioneve të shtetit në këto dy dekada të pas luftës. Nëse gjatë mandatit të UNMIK-ut institucionet e drejtësisë ishin të penguara dhe varura, për të vepruar me efikasitet dhe ashpërsi ligjore, së pakut pas shpalljes së pavarësisë dhe kosovarizimit të plotë të sistemit të drejtësisë, kjo çështje nuk është dashur për tu neglizhuar dhe lënë mbas dore, që dëshmitar të vdesin, provat të vjetërsohen e zhvlerësohen dhe të dyshuarit potencial, kryerës të krimeve të shpëtojnë nga përgjegjësia para ligjit.

 

Edhe pse tani ka kohë që nga rasti në rast, para drejtësisë kosovare kanë filluar të gjykohen raste individuale të zbuluar të ish ushtarëve dhe policës serb të përfshirë në krime kundër popullatës shqiptare, në periudhën e luftës 1998-1999, shqiptimi i dënimeve simbolike, tepër të buta, e më pastaj edhe rastet kur të dyshuarit lirohen tërësisht nga aktakuza, janë raste për keqardhje të cilat lirisht mundë të kualifikohen si një krim i dyfishtë gjyqësori të Kosovës i cili nuk është në nivel të detyrës, nuk e merr për bazë peshën e krimit kundër njerëzimit dhe bënë kompromise me të dyshuarit për krime lufte edhe kur ndaj tyre prokuroria ka siguruar fakte të mjaftueshme për dënim. Të gjithë jemi dëshmitar se si javën e kaluar Gjykata themelore e Prishtinës e ka dënuar me 13 vjet burg për krime lufte, serbin nga Prishtina Dushko Arsiq, i cili ishte i akuzuar për krime lufte në fshatin Butovc po të kësaj komune, e kundër të cilit dëshmitarët me fakte bindëse kishin dëshmuar përfshirjen e tij në terrorizimin e popullatës së pafajshme, duarthatë, vrasje dhe djegie masive të shtëpive të banimit. Edhe pse 13 vjet burg është dënimi i shqiptuar nga shkalla e parë, në opinionin publik është shfaqur pakënaqësi e madhem sepse pesha e veprës është aq e madhe sa që nuk e arsyeton verdikti i dhënë nga Gjykata Themelore. Sipas aktakuzës, Arsiq ngarkohet se ka marrë pjesë në vrasjen e shqiptarit Brahim Shala më 20 prill 1999 në Butovc të Prishtinës, por jo vetëm kaq, ai gjithashtu akuzohet se ka maltretuar fizikisht dhe psiqikisht edhe të dëmtuarin Artan Krasniqin. Arsiq akuzohet me fakte se ka qenë pjesë e policisë serbe dhe grupeve paramilitare, ndërsa aktakuza e bënte përgjegjës Arsiqin për keqtrajtim edhe të civilëve të tjerë shqiptarë, plagosje e vrasje. Më saktë, Arsiq akuzohej se më 20 prill të vitit 1999 ka marrë pjesë në vrasjen e Brahim Shales në Butovc të Prishtinës, si dhe ka maltretuar fizikisht e psiqikisht të dëmtuarin Artan Krasniqin. Tutje, në aktakuzë, Arsiq ngarkohej edhe me veprën penale se bashkë me një grup tjetër kishte filluar plaçkitjen e shtëpive dhe se ia ka vënë zjarrin pronës së shqiptarëve, duke pasur si qëllim dëmtimin e tyre. Tani me të drejtë edhe reagimet e qytetarëve, pas publikimit të këtij aktgjykimi, kane qenë me plot indinjatë ndaj mënyrës së trajtimit të krimeve të luftës nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Por për të qenë akoma më skandaloze, e njëjta gjykatë luan loj të plotë amnestimi në rastin tjetër të procesit gjyqësor që u zhvillua ditën e hënë, ku është liruar nga akuza për krime luftë serbi tjetër i dyshuar Zlatan Arsiq, i cili në periudhën e pas luftës, deri në momentin e arrestimit, kishte qenë edhe pjesëtar i policisë së Kosovës, kurse gjatë luftës kishte qenë pjesëtar i strukturave policore të Serbisë . Në arsyetimin për lirim nga aktakuza, gjykata thotë se pas përfundimit të këtij shqyrtimi gjyqësor dhe pas administrimit të provave, dëgjimit të dëshmitareve, prokuroria përsëri s’ka arritur ta argumentoi faktin se i akuzuari Arsiq ishte pjesëtar i policisë serbe, nuk ka arritur ta provoj se ishte ai që ka maltretuar personin B.M apo se i njëjti ishte personi që ia ka djegur shtëpinë. Aktakuza kundër tij është ngritur në korrik të vitit 2023. Ai po akuzohet për krime lufte në zonën e Kamenicës. Zlatan Arsiq ishte pjesëtar i Departamentit Kufitar të Policisë së Kosovës, aktualisht në suspendim me pagesë. Para se të arrestohej për krime lufte në mars të vitit 2023, ai ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga hetuesit e Inspektoratit Policor nën dyshimet për lejim të kontrabandës në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës. Që nga ajo kohë Arsiq është i suspenduar nga detyra e tij. Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës e ngritur më 28 korrik 2023, ngarkon Zlatan Arsiqin se në mars të 1999- ës para bombardimeve të NATO-s, në Stacionin Policor në Kamenicë, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë serbe, me uniformë të asaj policie e i armatosur, e kishte ndaluar në Kamenicë të dëmtuarin B.M, me veturë të policisë, duke iu drejtuar me fjalët “Gde si UÇK’, “Ku po i dërgon këto cigare”, “UÇK-së po ja dërgon”, “tash të tregoj se për kënd i ke blerë cigaret”. Më pas, thuhet se të dëmtuarin e kanë rrahur me shufër gome, shkelma dhe grushte, duke e torturuar në mënyrë ç‘njerëzore, maltretuar dhe shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe duke e kanosur seriozisht për jetë. E kur i dëmtuari disa ditë pas maltretimit ishte kthyer në shtëpinë nga ku ishte dëbuar dhe e cila i ishte djegur, në oborr i akuzuari e kishte goditur me shuplakë dhe ia kishte vendosur tytën e automatikut në fyt, duke e kërcënuar me vrasje, e më pas policia serbe e kishte liruar atë dhe familjen e tij. Arsiq akuzohet se gjatë luftës në Kosovë, bashkë me pjesëtarë (tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare), ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë, pastaj kanë plaçkitur shtëpitë dhe me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ua kanë vënë zjarrin, por edhe kanë marr pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë. Duke e liruar të dyshuarin nga aktakuza, në shkallën e parë, ai është lënë i lirë, kurse palët e dëmtuara udhëzohen të ushtrojnë ankesë kundër vendimit të shkallës së parë. Ky pra është kulmi i dështimit. Kjo mënyrë veprimi hapë dyshimin e bazuar për lidhje të gjyqësorit, marrëveshje për ta amnistuar krimin, aq me keq kur bëhet fjalë për krime lufte. Kur jemi te kjo kategori e veprave penale, do të duhej pasur një mbikëqyrje shumë të ashpër profesionale të mbarëvajtjes së proceseve gjyqësore, që kriminelët me meritë të dënohen dhe të mos amnistohen. Praktika e funksionimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë, për gjithë këto vite ka treguar se kemi një gjyqësor dhe prokurori të tej korruptuar, që së bashku me avokatët e shitur nuk pyesin fare për anën ligjore të viktimës por bëjnë drejtësi të trafikuar. Të gjithë jemi dëshmitar se me gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë, drejtësia vendore është tepër e vonuar, e ndikuar nga politikë dhe në shumë raste edhe dëshmitë janë zbehur e janë varfëruar, prandaj secilin rast duhet trajtuar me meritë dhe me kujdes, për të mos e bërë krimin e dyfishtë duke amnistuar të dyshuarit për përfshirje në krime lufte kundër shqiptarëve, edhe pse të tillët janë të pakët si raste për faktin se për dy dekada janë zbehur dëshmitë për krime, kanë vdekur dëshmitarët dhe kështu ka humbur edhe pasha e provave ndaj të akuzuarave që nuk do të duhej amnistuar.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".