Zeqa: Kosovës i duhet një qeveri e zgjeruar e unitetit politik

Zeqa: Kosovës i duhet një qeveri e zgjeruar e unitetit politik
Zeqa: Kosovës i duhet një qeveri e zgjeruar e unitetit politik

Florim Zeqa

  • 01 April 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Tani, pas certifikimit të stërvonuar të rezultateve zgjedhore nga KQZ-ja, radha është e partisë fituese që të japë sinjalin e formimit të qeverisë. Bazuar në deklarimet dhe optimizmin e kryeministrit në detyrë, gjegjësisht të kryetarit të partisë fituese (LVV), z. Albin Kurti, i cili thotë se nuk do të jetë e largët seanca e Kuvendit, ku do të jepen betimet e deputetëve dhe do të zgjidhet Kryetari i Kuvendit, e bashkë me këtë edhe zgjedhja e Qeverisë së Re dhe e Kryeministrit!

 

-Në dukje të parë, ky është një sihariq i mirë për qytetarët e Republikës së Kosovës. Por, nëse u referohemi deklarimeve të partive opozitare, jo gjithçka është duke shkuar në rrugën e duhur!

Sipas deklarimeve të Albin Kurtit, duket se ai ka një plan konkret dhe të garantuar për të siguruar votimin e Qeverisë së re në të njëjtën ditë me konfirmimin e mandateve. Mirëpo, deklaratat e opozitarëve thonë të kundërtën, që do të thotë se kjo mund të mbetet vetëm një dëshirë politike e kryeministrit në detyrë!

Për të mos rënë në nivelin e spekulimeve mediatike, rruga më e mirë dhe më e duhur për formimin e Qeverisë së Re është ajo e një bashkëpunimi më të gjerë të spektrit politik.

Rrethanat e krijuara gjeopolitike në nivel global dhe rajonal e shtrojnë nevojën e një bashkëpunimi më të gjerë të skenës politike.

Situata në të cilën ndodhet Kosova, nën sanksione ekonomike ndërkombëtare dhe me dialog të hapur me Serbinë, e shtron nevojën e një uniteti politik jashtë kornizave partiake.

Kosovës dhe Albin Kurtit nuk i duhet një qeveri e numrave, por një qeveri e zgjeruar e unitetit politik, për t’u përballur me sfidat e sipërcekura dhe me administratën e re amerikane, e cila nuk lë shumë hapësirë për manovrime teknike në dialog!

Qeveria e Re e Kosovës, që në ditën e parë, duhet të jetë e përgatitur për t’u ballafaquar me të gjitha sfidat dhe vështirësitë e konsolidimit të raporteve me SHBA-të dhe shtetet e Bashkimit Evropian, në mënyrë që të mos zhgënjehemi në përballjen e parë diplomatike.

Në anën tjetër, edhe administrata e re e BE-së e pret me padurim formimin e Qeverisë në Prishtinë, për të vazhduar menjëherë me dialogun e Brukselit, me Asociacionin si pikënisje të këtij dialogu.

Nuk duhet ta lëmë të vetëm Albin Kurtin që të përballet me sfidën e dialogut, jo pse nuk e ka kapacitetin intelektual, por sepse këtij dialogu i duhet edhe një alternativë tjetër më e moderuar, për të mos pësuar ndëshkimin e radhës që në raundin e parë të dialogut!

Na mbetet të shpresojmë që pas sigurisë së Albin Kurtit për formimin e shpejtë të qeverisë, të jetë edhe njëra nga forcat e mëdha politike në vend, jo vetëm sa për ta bërë qeverinë, por për ta vendosur Kosovën në binarë të sigurt të diplomacisë dhe të anëtarësimit të shtetit tonë në organizatat ndërkombëtare, si: INTERPOL, KiE, BE, NATO dhe OKB.

Kosovës, në asnjë rrethanë, nuk i duhet konfrontimi me aleatët, por përafrimi dhe koordinimi i veprimeve politike, për të çuar përpara proceset zhvillimore dhe integruese të Republikës së Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".