
Lexoni edhe:
Arrestimi i 16 serbëve, tregues se Serbia nuk ka hequr dorë nga destabilizimi
Shkruan: ANALISTI-Arsim Aziri
Ndërhyrja e Serbisë në çështjet e Kosovës gjithnjë ka qenë prezente dhe nuk ka sesi të shihet si e befasishme! Por krejt çka duhet të veprojë shteti ynë, është t’i minimizojë mundësitë ndaj kësaj ndërhyrjeje dhe ta vazhdojë rrugëtimin e vet drejt konsolidimit të çështjeve, në këto momente të atyre që nisura prej zgjedhjeve nacionale. Serbia gjithnjë ka qenë aktuale në ndërhyrje, dhe kjo ka ardhur në shprehje që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Ajo përpiqet të ndikojë në mënyra të ndryshme, përfshirë politike, ekonomike, diplomatike dhe përmes komunitetit serb e jo serb në Kosovë – nën arsyetimin për të ruajtur kontroll ose ndikim në pjesë të caktuara të territorit, sidomos në Veri.
Arrestimi i 16 serbëve, tregues se Serbia nuk ka hequr dorë nga destabilizimi Lexoni edhe:
-Ajo ka agjendë shekullore në këtë çështje, dhe tani duke e penguar formimin e organeve të institucioneve tona, përpiqet të tregojë se Kosova nuk është shtet funksional, dhe rrjedhimisht inkuadron më shumë nevojën për themelimin e asociacionit si shenjë bazike drejt të ashtuquajturës mbrojtje më të denjë për serbët në Kosovë. Kjo mandej edhe e zgjon nevojën edhe për dialog, dhe rrit mundësinë për trysni në themelimin e asociacionit monoetnik, diçka e rëndësishme për Serbinë për ta destabilizuar gjithnjë strukturën e brendshme të Kosovës.
Kosova, krahas kësaj strategjie shekullore, mund të ndërmarrë veprime të llojeve të ndryshme, duke filluar prej atyre shtetërore, diplomatike, ligjore dhe qytetare, p.sh., krijim të institucioneve të forta, bazament dhe mburojë kundër ndikimit të jashtëm. Dhe të gjitha këto dalin si derivacion prej zgjedhjeve të lira, përfshi edhe sundimin e rendit dhe ligjit, diçka e papërballueshme për Serbinë, sa i përket ndikimeve të jashtme. Pastaj administratë profesionale dhe jo siç akoma po ndodh, pra politike, që të mos lejojë ndërhyrja nga jashtë.
Në mburojë duhet të përfshihet edhe zhvillimi në ato komuna, dhe siguri, siç e ka bërë kjo qeveri e tanishme, duke e penguar funksionimin e strukturave paralele, dhe duke e mundësuar rritjen e strukturës biznesore, përfshi edhe financimin shtetëror përmes politikave të ndryshme sociale. Në vazhdën e kësaj shkon edhe minimizimi gjithnjë e më i madh i varësisë ekonomike, duke intensifikuar lidhjet me shtetet tjera, veçanërisht me Shqipërinë, për t’ia minimizuar gjithnjë e më shumë burimet ekonomike dhe infrastrukturën e pavarur, që ta mundësojë kështu zhvillimin e brendshëm ekonomik, etj.
Më pas, mediat në shoqërinë tonë, veçanërisht disa prej tyre, sikur janë në kritikë të paarsyeshme e tendencioze ndaj këtij pushteti, dhe nga një agjendë e tillë – do thoja – po krijojnë mundësi për ndikime prej faktorëve të jashtëm sllavë.
Krejt në fund, shteti ynë, vetëm përmes atyre hapave, mund ta rrisë nivelin e sigurisë në vend, dhe mos të harrojmë edhe ta shtojë nivelin e bashkëpunimit me nivelin ndërkombëtar, për ta ulur kështu fuqinë e lobit serb në botë, dhe kjo duhet të jetë në interes të përkushtimit tonë shtetëror. Ama kjo mund të ndodhë vetëm duke qenë krejt bashkë, jo edhe siç po ndodh tani më, ku një pjesë e dëmit tonë, mjerisht, vjen nga vetë disa politikanë – në mënyrë indirekte po goditet shteti ynë.
Tek disa politikanë, rëndësia e parcialitetit dhe individualiteti tejkalon rëndësinë e tërësisë – trupit publik: vendit tonë!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".