
Zeqiraj: Maskarada kuvendore turpëron opozitën destruktive


Idriz Zeqiraj
Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj
Vite më parë, një deputet i Bundestagut gjerman, i informuar bollshëm për përbërjen e Parlamentit të Kosovës, do t’i alarmonte kolegët e tij, se "në Parlamentin e Kosovës janë 27 deputetë kriminelë. Kur takoj zyrtarët e lartë atje, më duhet t’i laj duart fort me sapun, sepse i kanë të përgjakura deri në bërryla, me gjakun e bashkëkombasve të tyre, kundërshtarë politikë...!"
Me gjithë thirrjet e përsëritura të shteteve të Quintit dhe të ndërkombëtarëve të tjerë, për pastrimin e listave emërore të kandidatëve për deputetë të kriminalizuar, subjektet politike, pjesë e PAN-it, sfiduan shqiptarët dhe ndërkombëtarët, duke e ndotur sërish Parlamentin. Janë pikërisht këta deputetë, mbrojtës të krimit dhe të kriminelëve, që sabotojnë vazhdimësinë e organeve përkatëse. Qëllimi është i qartë: pushtetin e humbur me votën e lirë demokratike, duan ta marrin dhunshëm, në tavolinë.
Edhe pse pozita e kryetarit të Kuvendit, ligjërisht, i takon partisë fituese, respektivisht LVV-së, e propozon femrën më të votuar të këtij Parlamenti, Albulenë Haxhiun. Opozita nuk e pranon, sepse ajo e paska "fyer" dikur, me thirrjen "kriminel", ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin, duke qenë edhe kryetar i Organizatës ilegale kriminale - SHIK! Thënia e së vërtetës nuk është as shpifje dhe as fyerje. Përkundrazi, kryetari e ka fyer Albulenën me shprehjen "ma hangsh", duke çuar dorën mes këmbëve!
Deputeti kontravers, një enverist i kallur, Nait Hasani i PDK-së, edhe pas një dekade të dënimit nga shqiptarët e përbotshëm të filosllavit Enver Hoxha, për krime e tradhti ndaj shqiptarëve, Atdheut, kombit, me një miting masiv të organizuar nga "gjeneralët" vetëshpallur, i thurte hymne dhe e quante hero!? I kthyer në Parlament për të mbrojtur krimin dhe kriminelët, duke folur në emër të opozitës, deklaroi se "pranojmë cilindo nga deputetët e pozitës, përkatësisht LVV-së, me përjashtim të Albulenë Haxhiut dhe Donikë Gërvallës!!"
Shtrohet pyetja: pse anatemohen dhe përjashtohen këto dy femra deputete nga mundësia e të qenurit në krye të Kuvendit?! Sepse në gjene kanë atdhetarizmin dhe të vërtetën e kanë thënë dhe vazhdojnë ta përsërisin, pavarësisht nëse u pëlqen hipokritëve, horrakëve dhe zuzarëve, qofshin ata edhe deputetë aksidentalë, mjerisht, të Parlamentit të Kosovës!
Sulmet e orkestruara kundër Donikës, pse i dha emër krimit
Donikë Gërvalla, me dy vëllezërit e saj, mbeti bonjake në moshën 10-vjeçare. Logjistikën për atentatin ndaj babait të saj, Jusuf Gërvalla, me vëllanë Bardhoshin dhe shokun e tyre Kadri Zeka, e përgatitën soji i këtyre LPK-ejsave, tani militantë të PAN-it. E sollën Kadriun nga Zvicra, e shëtitën në klubet e Mërgatës për tri ditë, deri sa UDB-a e organizoi ekzekutimin e tyre në grup.
Socialistët gjermanë në pushtet, me ministër të Brendshëm, Kinkel, nuk u lodhën shumë, edhe pse u identifikuan palët në krim. Por marrëdhëniet me jugosllavët ishin pykë dhe lanë shteg për të vrarë edhe veprimtarë të tjerë të çështjes kombëtare. Dhe, ashtu ndodhi. Krejt njëjtë siç vepruan UNMIK-u me ndërkombëtarët, me 40 mijë trupa në Kosovë pas luftës, dhe vrasjet serike cilësore të listuara nga "komandantët" kriminelë, me bandat e tyre, vazhdonin shpengueshëm. Ndonëse vrasjet politike ishin një "e fshehtë publike", hetoheshin, zbuloheshin, por ose dënoheshin simbolikisht, sikur të kishin vjedhur pula, ose liroheshin "për mungesë faktesh!?". Fijet e krimeve makabre i tërhiqnin agjentët shqipfolës të Serbisë, nga LPK-ja, tani anëtarë të partive të PAN-it; agjentë shqipfolës të Francës; të SHISH-it enverist; anëtarë të organizatave ilegale kriminale SHIK, "Shqiponjat e Zeza" dhe "BIA" shqiptare!
Donikë Gërvalla, si studente në Universitetin e Tiranës, përqafoi pluralizmin politik, duke u bërë pjesë e grevës studentore. Në vitin 1992, vazhdoi studimet në një fakultet të dytë në Gjermani. U bë anëtare e LDK-së, më vonë nënkryetare e saj. Punoi në Zyrën e LDK-së, në Shtutgart, me Sali Çekajn, sot Hero i Kosovës. Përshkoi anembanë Gjermaninë dhe shtetet fqinje të Evropës për begatimin e Fondit të 3%-shit, si dhe në aksionet tjera për mbijetesën ekonomike të Kosovës.
Donika e përjetoi rëndë represionin e pushtuesit serbo-sllav në Kosovë. U angazhua në debatet ndërkombëtare për trajtimin e egër e kriminal të bandës shtetërore të Millosheviçit. Njohëse e shkëlqyer e gjuhës gjermane dhe angleze, ajo përballej në televizionet prestigjioze të Evropës me gazetarë, politikanë, gjeneralë, zyrtarë të lartë, ministra, kryeministra, dhe gjithherë ishte fituese e debateve, sepse përfaqësonte dhe proklamonte të vërtetën absolute, duke demantuar madje bindshëm lehaqenët serbo-sllav dhe dostat e tyre të paguar. Megjithë këtë bagazh veprimtarie atdhetare, në shërbim të luftës, të UÇK-së dhe të Kosovës, lukunia shpifarake e PAN-it, me degëzimet servile e hiqe të tij, e akuzojnë vajzën dinjitoze e krenare të Jusuf Gërvallës, se kinse na qenka kundër UÇK-së!
Dega e LDK-së në Gjermani i bëri thirrje Donikë Gërvallës për ta drejtuar partinë. Ajo, duke parë se LDK-ja ishte bërë bisht e patericë e PAN-it, kryesisht e PDK-së, dhe me ndryshimin e statutit e rregullores zgjedhore po devijonte rrugën regoviane, bëri thirrje të korrigjohej lidershipi i saj, me dyshimin e bazuar se po e shpiente partinë e Rugovës drejt humnerës. Qendra e LDK-së, në vend që të reflektonte, rrethi vicioz i kryetarit filloi të intrigonte përmes individëve në Mërgatë. Kulmoi me mbylljen e derës së Kuvendit të 8-të zgjedhor për delegatët e Degës së Gjermanisë dhe të Zvicrës, më 25 maj 2015. Ndërsa tërheqja zvarrë e Donikës nga salla e Konventës së LDK-së, në Prishtinë, nga bodiguardët e ministrave të Isa Mustafës, dhe heshtja qyqare e qindra delegatëve në sallë, largoi nga LDK-ja mijëra anëtarë njëherësh!
Vjosa Osmani dhe Donikë Gërvalla nismuan ndryshimin
e domosdoshëm të skenës politike të Kosovës
Vendimi i Vjosa Osmanit dhe Donikë Gërvallës për ta bërë ndryshimin, jo vetëm brenda LDK-së, por në të gjithë skenën politike të Kosovës, ishte mençuri dhe guxim intelektual. Anatemat, sharjet dhe ofendimet pa fije mbulese objektive ishin injorancë, me elemente të bollshme të rrugaçërisë. Nga ky rebelim intelektual, e fituar ishte LDK-ja, sepse, duke qenë patericë e PDK-së, rrezikonte që në zgjedhjet e radhës të mos e kalonte pragun. Klani rreth kryetarit nuk pyeste më elektoratin, anëtarësinë, Këshillin e Përgjithshëm, Grupin e Deputetëve, madje as vetë Kryesinë e partisë. Vjosa dhe Donika ruajtën anëtarësinë e LDK-së dhe ia kthyen lidershipit të ri qysh në zgjedhjet lokale, me shpresë të ringjalljes, më saktë, ringritjes së partisë.
Vjosa Osmani dhe Donikë Gërvalla bënë ndryshimin e madh: shporrjen nga pushteti satanik të "komandantëve" mëkatarë të krimit të organizuar, të hajnisë zyrtare, të haraçit të përgjakshëm, shtetarëve dhe pushtetarëve të pazareve të pista, deri në tradhti të ndarjes së Kosovës. Lista GUXO dhe Alternativa, të bashkuar në koalicion me LVV-në, parësi të pushtetit të tyre kishin vënien e sovranitetit në veriun e Mitrovicës, nga ku kishin hequr dorë të gjitha qeveritë paraprake, me vulën e dhënë nga ish-presidenti i shantazhuar me dosje faktike.
Albulenë Haxhiu e denjë për postin e Kryekuvendares
Albulenë Haxhiun shqiptarët e njohin nga protestat dhe demonstratat, të organizuara nga LVV. Shumë aktive dhe e guximshme. Luftarake u tregua Albulena edhe në përballjen fizike me deputetët mujsharë të PDK-së, të cilët provokuan, pa shkak, kuvendarët e LVV. Ajo ka një përvojë parlamentare prej 12 vjetësh në opozitë. Një bashkëshorte ideale, një nënë e kujdesshme, një bashkëpunëtore e harmonishme partiake, por e rreptë ndaj "komandantëve", sa mujsharë, aq edhe lakmitarë të pamerituar për pushtet.
Duke qenë në krye të Ministrisë së Drejtësisë, institucionit më të degraduar dhe të abuzuar nga "komandantët" pushtetarë, në përpjekje për ta vënë institucionin në binar, provoi ta aktivizojë vetting-un, për testimin e kuadrit dhe sferave të tjera. U pengua ndër vite dhe vazhdon të pengohet. Byroja për Verifikimin e Pasurive të pambuluara financiarisht, themelimi i saj është i një rëndësie të veçantë për shtetin ligjor. Por, hajnorët duan ta bllokojnë dhe ministren ta largojnë, së bashku me partinë e saj. Për katër (4) vjet radhazi, opozita PAN-iste u bë palë me Serbinë dhe miqtë e saj, për ta luftuar pozitën, respektivisht, Albin Kurtin me LVV-në e tij.
Për çudi, Kadri Veseli drejton Organizatën ilegale kriminale SHIK, sinonim i krimit vrastar ndaj kundërshtarëve politikë bashkëkombas. Një krim dhe turp i madh kombëtar, tashmë, i provuar. Shefi i SHIK-ut ka provuar ta legalizojë këtë krijesë monstër, duke e lutur Presidentin Rugova, i cili njihet për prudencë dhe urtësi. Por, ky rast e ka zemëruar tej mase dhe përgjigja ka qenë e rreptë: "Kam një kusht 'të vogël' për kërkesën tuaj: Më parë - i ngjallni të vrarët, pastaj bisedojmë!"
Krimet numerike të SHIK-ut janë aq të vërteta e faktike, sa tmerrohet edhe zyrtari i Shtëpisë së Bardhë, amerikani Richard Holbrooke: "E kemi ditur që shqiptarët në Kosovë duhet t’i mbrojmë nga kriminelët serbë, por nuk e kishim paramenduar se do të na duhej t’i mbronim edhe nga vetvetja – shqiptarin nga shqiptari!"
Pyetja, nëse Albulena shpifi kundër shefit të SHIK-ut, apo tha një të vërtetë në shkallën më të lartë? Sigurisht, qëndron e dyta. Pra, nuk kemi të bëjmë as me shpifje dhe as me fyerje. Derisa Kadriu është pranuar dhe votuar, paradoksalisht, me një barrë mëkatësh, kryetar Kuvendi – atëherë, pse të mos pranohet një vajzë-nuse-nënë e dinjitetshme, siç është Albulenë Haxhiu?! Deputetët e Kosovës kanë votuar president edhe Hashim Thaçin, i cili, për t’i shpëtuar burgut, u rekrutua nga francezi Arnaud Danjean, kryesisht në favor të Serbisë. Për rekrutimin e tij, flet edhe kreu i Shërbimit Sekret francez, Pierre Siramy, në Canal +, bisedë e regjistruar në YouTube.
Krejt i ngjashëm është edhe rasti i Donikë Gërvallës, të cilës po i vriteshin, në paqe e liri, pas luftës, kolegët e babait, Jusuf Gërvallës, bashkëpunëtorët e Ibrahim Rugovës dhe të Sali Çekajt, por edhe të vetë Donikës, e cila komunikonte me ata nga Zyra e LDK-së në Shtutgart, e udhëhequr nga kryetari i Degës së LDK-së, Hafiz Gagica. Donika i dha emër e mbiemër krimit dhe apeloi të ndalonin vrasjet e burrave dhe të djemve të Kosovës, të cilët bënë rezistencën aktive dhe luftën e armatosur.
Albulenë Haxhiu, me simotrat dhe sivëllezërit e saj partiakë, të organizuar në Lëvizjen Vetëvendosje, kanë reaguar dhe kanë rrezikuar jetën e tyre rinore, në mbrojtje të Kosovës, nga shtetarë e pushtetarë të shantazhuar, si rrjedhojë e veprave penalizuese, të cilët kanë dëmtuar dhe vënë në pazar pjesë të territorit të Kosovës, fqinjëve lakmitarë.
Kërkesa, sa absurde, aq edhe rrugaçërore, e opozitës destruktive, që të mos pranohet kandidatura e deputetes më të votuar femër, Albulenë Haxhiut, për kryetare të Kuvendit, është cinike. Zërat e çjerrë, komentuesit budallenj, analistët e paguar, mbështesin opozitën. Por, LVV, me asnjë kusht, madje edhe me asnjë çmim, nuk duhet të bëjë kompromis me këtë opozitë dështake dhe tërësisht të çakorduar.
Opozita nuk ka arritur të bindë askënd në kërkesat e saj absurde. Suksesi i LVV-së është besimi i krijuar se mbron sovranitetin e Kosovës, gjë që dyshimi për PAN-in, tashmë, është i bazuar.
Një selam dëshpërues kam për LDK-në. Me qëndrimin e saj ndaj opozitës së kriminalizuar PAN, dha shpresë se rrugët janë ndarë dhe kurrë më patericë e tij. Por, së fundmi, kabllot janë ngatërruar dhe dyshoj se do t’i kushtojë në një të ardhme të afërt. Uroj të jem i gabuar.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".