
Zeqiraj: Gjykata Kushtetuese ka devijuar nga roli i saj si garantuese e rendit kushtetues


Idriz Zeqiraj
Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj
Gjykata Kushtetuese ka për mision drejtësinë supreme brenda shtetit. Rrënimi i Sistemit të Drejtësisë nga ish-pushtetarët – disa prej të cilëve tashmë janë zbuluar si agjentë të Shërbimeve Informative të shteteve armike të Kosovës – e ka dëmtuar rëndë Atdheun. Dyshimi ndaj Gjykatës Kushtetuese është aq i madh, saqë Qeveria nuk guxon të dërgojë një draft-statut për Asociacionin, sepse nuk ka asnjë siguri që ajo do të mbrojë interesat e vendit!
-Në këtë institucion të lartë ka edhe gjyqtarë të devotshëm. Por dyshohet se e keqja ka epërsinë, ashtu siç është provuar edhe në nivelet e tjera të gjykatave vendore. Edhe krimet e rënda, si tentativa për vrasje të qëllimshme, konvertohen në një dënim simbolik me para! Shumë qindra dosje të stivosura presin të parashkruhen, ashtu siç është vepruar përgjatë këtij çerek shekulli. Mjafton të përmendim 45.500 "veteranë" të rrejshëm dhe miliona euro të abuzuara! Thënë troç, Gjykata Kushtetuese ka devijuar nga roli i saj si garantuese e rendit kushtetues.
Thuhet e shkruhet se – krimit nuk i skadon afati. Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, kufizon hetimin dhe gjykimin për krime lufte dhe pas lufte deri në fund të vitit 2000!? Ndërkohë që krimet, vrasjet e cilësuara politike kanë vazhduar ndër vite e tej dekadës, përfshirë edhe vrasjet e dëshmitarëve! Janë të njëjtat organizata kriminale të themeluara nga LPK-ja e djeshme, PAN-i i sotëm, bandat e instruktuara nga Sigurimsat e Enver Hoxhës. Dhe, Gjykata Kushtetuese i ka parë të tëra këto krime dhe i ka heshtur, sikur këto krime kanë ndodhur në Mesjetë, në një kontinent aziatik dhe jo në zemër të Evropës!
Prandaj, me të drejtë, Gjykata Kushtetuese mund të konsiderohet si një "filozofe" e të drejtës, pa u merakosur për ta përdorur fuqinë reale të veprimit, edhe pse e ka të garantuar me ligjin kushtetues.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".