Aziri: Në Shqipëri, qytetarët shpesh përballen me mosbesim sistemik

Aziri: Në Shqipëri, qytetarët shpesh përballen me mosbesim sistemik
Aziri: Në Shqipëri, qytetarët shpesh përballen me mosbesim sistemik

Arsim Aziri

  • 15 May 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Arsim Aziri

Shumë shqiptarë të diasporës, ndonëse fizikisht larg, ndihen shpirtërisht të lidhur me vendin. Ata shpesh e kanë parë votën si mjet për të ndikuar pozitivisht në të ardhmen e atdheut dhe për të kontribuar në përmirësimin e situatës që, për ironi, ka qenë një nga arsyet pse u larguan. Ky interes lidhet edhe me ndjenjën e fajit moral ndaj Shqipërisë, si dhe me përvojën e demokracive më të zhvilluara ku ata jetojnë, e cila i ka edukuar më shumë për rëndësinë e votës dhe ndryshimet që mund të sjellë ajo nëse rritet si shprehje.

 

-Nga ana tjetër, në Shqipëri, qytetarët shpesh përballen me mosbesim sistemik, mungesë ndryshimesh të prekshme dhe ndjesinë e vazhdueshme se “gjithçka është e paracaktuar”. Kjo krijon apatinë politike: një bindje e heshtur se vota nuk ndryshon asgjë. Pjesëmarrja e ulët është tregues i një zhgënjimi të thellë dhe të qëndrueshëm ndaj gjithë klasës politike, jo vetëm ndaj një partie të caktuar. Në qarqe me histori të fortë politike dhe qytetare si Shkodra apo Vlora, abstenimi masiv shpesh është formë proteste e heshtur, një refuzim simbolik për të legjitimuar një sistem që nuk përfaqëson më interesat e qytetarëve.

Nga ana tjetër, frika nga manipulimi elektoral përmes strukturave shtetërore apo përdorimit të votës së diasporës si "balancues artificial" i rezultatit ndikon negativisht në besimin e qytetarëve për të marrë pjesë. Kjo nuk do të thotë se diaspora manipulon, por se perceptimi për mungesë transparence ul entuziazmin për pjesëmarrje.

Në thelb të demokracisë përfaqësuese qëndron pjesëmarrja, dhe kur mbi 50% e qytetarëve nuk votojnë, qeveria e dalë nga zgjedhjet mban një legjitimitet formal, por jo domosdoshmërisht moral apo shoqëror. Kjo krijon një hendek midis shtetit dhe qytetarëve, ku pushteti politik mund të veprojë me ndjenjën e “mandatit”, por jo me mbështetjen reale të popullit. Në këtë kontekst, një qeveri me pjesëmarrje të ulët rrezikon të jetë e izoluar nga realiteti shoqëror, duke qeverisur më shumë mbi popullin sesa për të.

Pra, mungesa e pjesëmarrjes nuk është thjesht statistikë: është simptomë e një demokracie që po e humbet lidhjen me popullin e vet. Kur njerëzit nuk besojnë më se mund të ndryshojnë diçka përmes votës, fillon nënshtrimi i heshtur ndaj një sistemi të pashpresë. Në këtë klimë, ringritja e besimit politik nuk mund të vijë nga fjalët e partive, por nga vepra që respektojnë dinjitetin qytetar. Dhe kjo, mjerisht, nuk po ndodh siç promovohet vazhdimisht, ndonëse ambiciet shtetërore janë orientuar drejt familjes evropiane. Paradoks në vetvete!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".