Kur fituesi bëhet pengesë

Kur fituesi bëhet pengesë
  • 31 May 2025 - 14:45

Nga Isuf Bajraktari

Sokrati, thoshte Ciceroni, e zbriti filozofinë nga qielli në tokë dhe e bëri të merret me jetën – me moralin dhe politikën. Ishte kjo kthesë nga natyra drejt njeriut, nga kozmologjia drejt antropologjisë, që e shënoi lindjen e mendimit kritik në Evropë.

Sot, kur Kosova nuk po arrin të zgjedhë kryetarin e Kuvendit, kjo nuk është vetëm një krizë institucionale. Është një krizë filozofike: një krizë e logos-it politik, pra e fjalës me kuptim, të cilën e kemi zëvendësuar me kokëfortësinë dhe arrogancën procedurale.

Në këtë situatë, ngjan sikur kemi hyrë në një fazë të sofistëve të vonuar: një klasë politike që, në vend se të përdorë fjalën për të ndërtuar konsensus dhe kuptim, e përdor atë për të krijuar mjegull, për të mbrojtur pozita të ngurta dhe për të shmangur përgjegjësinë.

Një prej zërave më kritikë ndaj kësaj situate, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e përshkroi bllokimin me fjalë të qarta:
“Kosova nuk është lodër e vullneteve të njëanshme. Konsolidimi i institucioneve nuk është dhuratë që jepet, por përgjegjësi që merret.”
Ky është një sinjal se opozita nuk do të pranojë të luajë rolin e figurantit në një teatër të organizuar nga vullneti i vetëm i partisë fituese.

Përgjegjësia, pavarësisht retorikës politike, bie në mënyrë të natyrshme mbi partinë më të madhe – fituesen e zgjedhjeve të 9 shkurtit – e cila, përkundër mandatit të marrë, nuk ka arritur ta shndërrojë këtë mandat në aftësi për ta bashkuar Kuvendin, për të dialoguar dhe për të ndërtuar një arkitekturë institucionale funksionale. Fitore elektorale nuk do të thotë sundim i vullnetit, por aftësi për të udhëhequr nëpërmjet konsensusit.

Kjo kulturë politike e bazuar në vetë-mjaftueshmëri dhe përjashtim është në kundërshtim me vetë thelbin e demokracisë parlamentare. Në një republikë parlamentare, shumica nuk është pronare e institucioneve. Ajo ka për detyrë t’i aktivizojë, jo t’i bllokojë.

Moszgjedhja e kryetarit të Kuvendit është më shumë se një dështim teknik: është simptomë e një krize të thellë politike e kulturore. Është krizë e dialogut, krizë e durimit demokratik, krizë e etikës institucionale.

Në mungesë të një logos-i përbashkues, rrezikojmë që diskursi politik të bjerë sërish në mit – në mitin e tribalizmit politik, të "patriotizmave" të improvizuara dhe të liderëve të pazëvendësueshëm. Dhe ashtu siç ndodhte në Greqinë antike, kur mitet nuk arrinin më të mbajnë bashkë polis-in, fillonte rënia e tij.

Politika e Kosovës ka nevojë për një iluminizëm të ri: për një kthesë nga interesat e ngushta tek interesi publik, nga arroganca procedurale tek përgjegjësia demokratike, nga fjalët që fshehin, tek fjalët që ndriçojnë. Dhe për këtë, duhet që ata që kanë më shumë vota, të marrin edhe më shumë përgjegjësi.

Në fund, zgjedhja e një kryetari Kuvendi nuk është vetëm çështje numrash. Është çështje morali demokratik – dhe sfida më e parë e vërtetë e çdo partie që pretendon të qeverisë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".