
KOSOVA, PA STRATEGJI SHTETFORMUESE QË NGA PASLUFTA!


Ismail Muçiqi
Shkruan: Gazetari Ismail Muçiqi
Pas 25 vitesh nga përfundimi i luftës, partitë politike që udhëhoqën institucionet e shtetit nuk arritën të hartojnë një plan strategjik afatmesëm apo afatgjatë për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe shoqëror të vendit. Dështimet që i ndodhën Republikës së Kosovës në të gjitha sferat e jetës – shoqërore, politike dhe ekonomike – po e mbajnë peng të ardhmen e këtij vendi. Ndërsa shtetet demokratike në mënyrë të vazhdueshme i respektuan dhe i avancuan gjeneratat e mëparshme, në Kosovë ndodhi e kundërta. Menjëherë pas luftës, qeveritë në pushtet bënë gabimin e parë në sistemin e shëndetësisë, ku për dekada kishin punuar mjekë me diploma shkencore, të cilët kishin dhënë kontribut të madh në edukimin dhe formimin e brezave të tërë të profesionistëve.
Për fat të keq, politika e shkurtpamësisë, përmes një ministri të ri e pa përvojë profesionale e shkencore, i largoi nga klinikat këta mjekë të përgatitur, duke i pensionuar në mënyrë të padrejtë – e duke dëmtuar një sistem jetik jo vetëm për Kosovën, por për rajonin më gjerë. E njëjta qasje e dëmshme vazhdoi edhe në fushën e informimit. Elita profesionale e gazetarëve, redaktorëve, producentëve, kameramanëve dhe inxhinierëve mbeti jashtë sistemit të informacionit në ish-Radio Televizionin e Prishtinës – një medium që pati rol të jashtëzakonshëm në periudhat më të rëndësishme të historisë së Kosovës. Kosovës i nevojiten dekada për të shkolluar dhe formuar sërish kuadro të tilla profesionale, që sot i mungojnë jetës mediale të vendit. Kjo politikë e verbër vazhdoi edhe në sferën e kulturës, arsimit dhe ekonomisë. Në Teatrin Kombëtar dikur punonin emra të mëdhenj të artit Shqiptar me reputacion ndërkombëtar, të cilët i dhanë shpirt zhvillimit të teatrit, filmit, dramës dhe zhanreve të tjera të kulturës. Pas luftës, kjo rrugë qorre u vazhdua edhe në arsimin e lartë dhe në Universitetin e Prishtinës, ku shumë profesorë me tituj shkencorë u larguan ose u pensionuan, duke lënë zbrazëti të mëdha akademike. Një nga dështimet më të mëdha që i kushtoi rëndë Republikës së Kosovës ishte mënyra kriminale e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe fabrikave, të cilat u shitën dhe u tjetërsuan me çmime qesharake nga individë të lidhur me pushtetin. Asnjëherë që nga paslufta, Kosova nuk ka hartuar një dokument të mirëfilltë strategjik afatmesëm apo afatgjatë për zhvillimin ekonomik të vendit. Edhe pse Kosova ka rezerva të mëdha të thëngjillit si pasuri kombëtare, qeveritë nuk arritën asnjëherë të ndërtojnë një termocentral me kapacitet minimal prej 500 megavatësh.
Si pasojë e polarizimit politik dhe interesave të grupeve të caktuara, sot – pas 25 vjetësh – po përballemi me krizë energjetike, me reduktime të rrymës dhe rritje të çmimeve të energjisë, ndërsa politikanët fajësojnë njëri-tjetrin. Të gjitha këto dështime të përmendura më sipër kanë sjellë pasoja qytetarëve te këtij vendi, të cilët po paguajnë çmimin e lartë të politikave të dështuara. Edhe sot, 25 vite pas lirisë dhe shpalljes së pavarësisë, Kosova po përballet me krizë politike, bllokada dhe pengesa të ndyta kundër formimit të mekanizmave funksionalë të shtetit. Se deri kur do të vetëdijesohemi për sjelljen e papërgjegjshme të klasës politike, këtë do ta tregojë e tashmja dhe e ardhmja e këtij vendi. Një popull që e shkëput kohezionin e gjeneratave në kontinuitet nuk ka shansë dhe ardhmëri të mbijetojë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".