Koalicioni në mes të VV-LDK-së dhe pakicave jo serbe do të kishte mundur të mbijetojë

Koalicioni në mes të VV-LDK-së dhe pakicave jo serbe do të kishte mundur të mbijetojë
Koalicioni në mes të VV-LDK-së dhe pakicave jo serbe do të kishte mundur të mbijetojë

Nue Oroshi

  • 05 June 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Nue Oroshi

Koalicioni në mes të Vetëvendosjes, LDK-së dhe pakicave jo serbe është një zgjidhje normale për një koalicion të përbashkët, për ta përbërë shumicën parlamentare dhe për të themeluar institucionet e Republikës së Kosovës: Parlamentin dhe Qeverinë, dhe më pas edhe për ta zgjedhur Presidentin e Kosovës.

 

-Politika nuk është fontanë dëshirash dhe as halucinacion për të ëndërruar se duhet të bëhet siç them unë dhe nuk ka rrugë tjetër. Në politikë duhet bërë kompromise të dhimbshme për ta vendosur në rend të parë interesin shtetëror, e në rend të dytë dhe të tretë interesat partiake dhe ato individuale. Për këtë, partitë parlamentare që kanë obligim kushtetues për të themeluar institucionet e Republikës së Kosovës, ku në këtë rast të gjitha partitë duhet të themelojnë Parlamentin e Republikës së Kosovës, ndërsa shumica parlamentare duhet ta formojë Qeverinë e Kosovës, duhet të bëjnë kompromise në mënyrë që programet e tyre qeverisëse të integrohen në një program të përbashkët qeverisës, në mënyrë që të formohet Qeveria e re e Republikës së Kosovës.

Shpeshherë, partitë politike bëjnë edhe kompromise për mbijetesën e tyre politike nga frika se në zgjedhje do të zvogëlohen dhe do ta humbin elektoratin e tyre. Është fat i mirë që qytetari i Republikës së Kosovës është vetëdijësuar dhe ai është duke përcjellë lëvizjet politike që bëjnë partitë politike dhe shpeshherë është duke i ndëshkuar me votën e tij. Koalicioni në mes të VV-LDK-së dhe pakicave jo serbe është një koalicion që do të kishte mundur të mbijetojë në një mandat të plotë qeverisës nëse do të arrinte që ta zgjidhte edhe presidentin apo presidenten. Natyrisht se ky koalicion duhet të bëhet jo vetëm për të pasur një qeveri, por duhet të bëhet për të pasur një qeveri që di të qeverisë dhe jo një qeveri militantësh partiakë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".