
Ngërçi politik si pasojë e mungesës së aftësisë për bashkëpunim


Isuf Bajraktari
Nga Isuf Bajraktari
Kosova po përballet me një ngërç të thellë politik dhe institucional, i cili nuk është vetëm rezultat i mungesës së numrave për formimin e institucioneve të reja, por edhe i mungesës së aftësisë për të ndërtuar komunikim politik të sinqertë. Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti që ka dalë e para në zgjedhje, me vetëm 48 deputetë, vazhdon të sillet si fituese absolute, duke refuzuar dialogun dhe marrëveshjet reale me subjektet tjera.
Qasja e kësaj partie tregon një mungesë të theksuar vullneti për partneritet. Në vend se të angazhohet në një proces të ndershëm ndërtimi të institucioneve, Vetëvendosja përpiqet të ruajë kontrollin duke mohuar nevojën për bashkëqeverisje. Kjo tentativë për të shfrytëzuar pozitën e parë në mënyrë të njëanshme, për të vendosur pa u konsultuar, ka bllokuar funksionimin institucional dhe ka thelluar krizën politike.
Në këtë kontekst, qëndrimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës meriton vëmendje të veçantë. LDK ka refuzuar të bëhet pjesë e një koalicioni që nuk ofron barazi politike dhe nuk respekton vullnetin qytetar. Ajo nuk ka rënë pre e kalkulimeve të Vetëvendosjes për të instrumentalizuar Listën GUXO dhe për të konsumuar figurat e saj për përfitime afatshkurtra elektorale. Përkundrazi, LDK ka treguar qëndrueshmëri, seriozitet dhe pjekuri politike, duke ruajtur integritetin e saj dhe duke fituar rritje të konsiderueshme në zgjedhje si rezultat i kësaj qasjeje.
Ndërkohë, edhe Nisma Socialdemokrate, pavarësisht se ka vetëm tre deputetë, ka treguar gatishmëri për të bashkëpunuar dhe për të kontribuar në formimin e institucioneve. Por edhe kjo shprehi vullneti është anashkaluar nga Vetëvendosja me justifikime të dobëta. Kjo tregon qartë se problemi nuk qëndron tek mungesa e numrave, por tek mungesa e vullnetit për të bashkëpunuar në mënyrë të sinqertë.
Pretendimi se të qenurit i pari në zgjedhje garanton automatikisht drejtimin e institucioneve është një interpretim i deformuar i së drejtës kushtetuese. As zgjedhja e kreut të Kuvendit dhe as formimi i Qeverisë nuk janë çështje emërimi, por votimi. Ky manipulim i qëllimshëm synon të maskojë paaftësinë për të arritur marrëveshje dhe mungesën e fleksibilitetit politik.
Në të gjithë këtë situatë, është e qartë se ngërçi aktual nuk është i rastësishëm, por produkt i një qasjeje arrogante dhe të mbyllur politike. Vetëvendosja nuk po dështon thjesht në aritmetikë parlamentare, por në kulturën e dialogut dhe të bashkëqeverisjes. Ndërkohë, LDK ka dalë më e fortë nga këto zgjedhje jo përmes retorikës, por përmes qëndrimeve të qarta dhe refuzimit të instrumentalizimit politik.
Qytetarët e kanë dhënë mesazhin e tyre. Ata kërkojnë institucione funksionale, përfaqësim të ndershëm dhe marrëveshje të sinqerta. Në këtë realitet të ri, përgjegjësia bie mbi ata që kanë vendin e parë jo vetëm si privilegj, por si barrë për të ndërtuar ura, e jo për t’i djegur ato.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".