
Moskonstituimi i Kuvendit një rrënim i qëllimshëm i besimit qytetar


Qani Shabani
Shkruan: Analisti - Qani Shabani
Moskonstituimi i Kuvendit për herë të 28-të me radhë nuk është më vetëm një ngërç politik apo krizë teknike parlamentare. Është një abuzim sistematik me rendin kushtetues, një rrënim i qëllimshëm i besimit qytetar, dhe mbi të gjitha, një kërcënim i drejtpërdrejtë për sovranitetin dhe funksionalitetin e Republikës së Kosovës.
Aktorët që qëllimisht e kanë kthyer Kuvendin në skenë bosh, duke refuzuar për 28 herë radhazi të marrin pjesë në themelimin e vetë institucioneve që legjitimojnë veten dhe popullin që pretendojnë se përfaqësojnë, nuk janë më pjesë e lojës demokratike – janë ozurpatorë të institucioneve.
Kjo sjellje e përsëritur përbën formën më të rrezikshme të bllokimit politik, ku një grup i vogël i elitës politike, përmes bojkoteve të organizuara dhe logjikës së shantazhit, mban peng jo vetëm jetën parlamentare, por edhe të ardhmen euroatlantike të vendit.
Në çdo sistem demokratik, dështimi për të konstituuar Kuvendin ka pasoja të rënda – nga humbja e kredibilitetit ndërkombëtar e deri te rreziku i destabilizimit të brendshëm. Në kontekstin e Kosovës, kjo bëhet edhe më dramatike, pasi vendi ndodhet në një terren të ndjeshëm gjeopolitik, ku mungesa e institucioneve funksionale e ekspozon shtetin ndaj ndërhyrjeve të jashtme, dobësimit të rendit kushtetues dhe rënies së besimit ndërkombëtar në vetë kapacitetin e Kosovës për vetëqeverisje.
Kur për herë të 28-të nuk realizohet një akt bazik siç është konstituimi i Kuvendit, çdo shtyrje tjetër nuk është më teknike, por është kapitullim moral, politik dhe institucional. Kjo është pika ku legjitimiteti i përfaqësuesve shndërrohet në farsë dhe rregulli demokratik në iluzion.
Në këto rrethana, mosveprimi është bashkëfajësi. Heshtja e institucioneve të tjera, si Presidenca apo drejtësia kushtetuese, rrezikon të legjitimojë këtë patologji institucionale. Nëse deputetët nuk votojnë me vullnet, do të detyrohen nga rregulli institucional dhe përgjegjësia ndërkombëtare – dhe kjo do të jetë vdekje për dinjitetin e tyre politik.
Ozurpatorët e institucioneve, nëse nuk ndalen, duhet të mbajnë përgjegjësi publike, politike dhe eventualisht ligjore, sepse nuk mund të ketë demokraci kur dikush e përdor bojkotin si armë për të mbajtur peng një shtet të tërë.
Në vend që të përfaqësojnë popullin, ata po përfaqësojnë veten në një teatër të turpshëm të sabotimit institucional. Historia nuk do i harrojë. Dhe as qytetarët e Kosovës, të cilët po ndëshkohen për 28 herë me radhë nga mungesa e përgjegjësisë dhe morali politik.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".