
Dy popuj, dy histori paralele: Shqiptarët dhe hebrenjtë në përballje me shekujt


Isuf Bajraktari
Nga përndjekja në mbijetesë, nga dëbimi në ringritje kombëtare
Nga Isuf Bajraktari, analizë politike dhe historike mbi dy popujt
Në rrjedhën e historisë botërore, janë të rrallë ata popuj që, ndonëse të rrethuar nga armiq, të shpërndarë, të shtypur, madje të dënuar me zhdukje, kanë arritur jo vetëm të mbijetojnë, por edhe të lënë gjurmë në civilizimin botëror. Shqiptarët dhe hebrenjtë janë dy prej tyre. Ndonëse me rrugë të ndryshme, ata ndajnë një fat tragjik dhe njëkohësisht heroik – një përballje të përhershme me përndjekjen dhe vendosmërinë për të mos u asimiluar, për të mos u zhdukur, për të mos harruar kush janë.
Populli hebre u shpërnda në mërgatë për më shumë se dy mijë vjet, duke humbur atdheun fizik, por jo identitetin shpirtëror. Nga Babilonia në Evropën mesjetare, nga Spanja e Inkuizicionit në kampet e përqendrimit naziste, ai përjetoi ndjekje sistematike që kulmuan me Holokaustin – një nga krimet më të mëdha të njerëzimit. Por në vitin 1948, një mrekulli historike ndodhi: populli hebre rikthehet në atdheun e tij, duke ndërtuar shtetin modern të Izraelit – një shtet i vogël për nga sipërfaqja, por një fuqi për nga inteligjenca, organizimi dhe inovacioni.
Shqiptarët, ndërkohë, ndonëse jetojnë në trojet e tyre etnike, u ndanë padrejtësisht në pesë shtete pas vitit 1913, duke humbur më shumë se gjysmën e territorit etnik. Nga Luma në Çamëri, nga Plava e Gucia në Iliridë, shqiptarët u dëbuan, u shtypën, u përballën me asimilim sistematik nga fqinjët, në një heshtje të gjatë ndërkombëtare. Kjo padrejtësi historike ende nuk është adresuar në mënyrë të drejtë nga diplomacia globale.
Në këtë univers të padrejtësive, ka edhe dritë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria dhe Kosova u bënë ndër të paktat vende ku hebrenjtë jo vetëm që nuk u dorëzuan, por u mbrojtën, u strehuan dhe u trajtuan si pjesë e familjes. Falë Besës – një vlerë unike në kulturën shqiptare – shqiptarët rrezikuan jetën për të shpëtuar hebrenjtë nga deportimi dhe vdekja. Si rezultat, numri i hebrenjve në Shqipëri u rrit gjatë luftës, një fakt i pashembullt në Europën e asaj kohe.
Emrat e shqiptarëve që shpëtuan jetë hebrenjsh sot nderohen në Yad Vashem, në Jerusalem, si "Të drejtë midis kombeve", një kujtesë se në kohë errësire, shqiptarët zgjodhën të jenë njerëz.
Për të kuptuar plotësisht përmasat e përbashkësisë mes shqiptarëve dhe hebrenjve, duhet përmendur edhe diçka që shpesh mbetet në hije: përpjekjet e deklaruara për zhdukjen e tyre.
Ashtu si hebrenjtë përballuan jo vetëm Holokaustin, por edhe kërcënimet bashkëkohore nga regjimi iranian që ka shprehur hapur synimin për zhdukjen e shtetit të Izraelit, shqiptarët kanë qenë objektiva të projekteve shoviniste serbe për asgjësim kombëtar. Doktrina e artikuluar nga Dobrica Qosiq, e përkrahur nga Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve, e sheh shqiptarin jo si fqinj, por si kërcënim. Kjo ideologji e helmët u përkthye në spastrime etnike gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998–1999, ku qindra mijëra shqiptarë u dëbuan dhe mijëra u vranë.
Pra, të dy popujt, në kohë të ndryshme dhe forma të ndryshme, janë përballur me plane të errëta të zhdukjes – dhe megjithatë kanë zgjedhur të jetojnë, të mbijetojnë dhe të ngrihen mbi vuajtjen.
Ajo që bashkon shqiptarët dhe hebrenjtë nuk është vetëm përvoja e dhimbjes, por etja për jetë, për dinjitet dhe për identitet. Izraeli është dëshmi e fuqisë së ringritjes: një komb i vogël, në një tokë të thatë, por që është shndërruar në lider botëror në teknologji, siguri, bujqësi dhe diplomaci.
Po ashtu, shqiptarët, ndonëse të fragmentuar, kanë treguar një vitalitet të jashtëzakonshëm: me mërgatë aktive, me të rinj që shkëlqejnë në universitete perëndimore, me një popullsi që, përkundër sfidave, ruan gjuhën, kulturën dhe shpirtin kombëtar.
Në kohën kur bota përballet me polarizim, konflikte fetare dhe nacionalizma të verbër, shembulli i hebrenjve dhe shqiptarëve duhet të shërbejë si një frymëzim, por edhe si paralajmërim. Nuk ka stabilitet afatgjatë pa drejtësi historike. Pa njohje të të drejtave kombëtare të popujve që janë shtypur dhe fragmentuar, pa integrim të dinjitetshëm, nuk ka as paqe të qëndrueshme.
Sot, shqiptarët dhe izraelitët kanë mundësi të ndërtojnë ura më të forta miqësie, bashkëpunimi akademik, ekonomik dhe diplomatik. Jo si një gjest politik i rastit, por si një aleancë e natyrshme e dy popujve që e njohin vuajtjen, por e zgjedhin jetën.
Populli hebre e ndërtoi shtetin e tij mbi rrënojat e një tragjedie, por me forcën e kujtesës dhe dijes. Shqiptarët janë ende në procesin e rindërtimit të plotë të subjektit të tyre historik dhe politik. Por nëse ka një gjë që historia e këtyre dy popujve na mëson, është kjo: Asnjë forcë nuk mund të zhdukë një popull që nuk harron kush është.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".